Kim Jong-un ndalon veshjen e pantallonave të ngushta, e cilëson “krim të modës”
Korea e Veriut ka ndaluar veshjen e pantallonave të ngushta, teksa Kim Jong-un godet “modën e pahijshme”.
Sipas The Sun, diktatori i Koresë së Veriut ka frikë se të rinjtë gjithnjë e më shumë po kopjojnë tendencat perëndimore, ndërsa policia e tij po sulmon të rinjtë me pantallona të ngushta të stilit hipster.
Lidhja e Rinisë Socialiste Patriotike, ka sulmuar dhe filmuar gra në të 20-at dhe 30-at që shkelin ligjin me pantallona ose xhinse të ngushta.
Të rinjtë tërhiqen zvarrë dhe u kërkohet të shkruajnë letra autokritike, duke u zotuar se nuk do të përsërisin më krimet e modës.
Të kapurit me këto veshje më pas lirohen, megjithëse pamjet përdoren si leksione për të bindur të tjerët.
Në një video, gratë u përshkruan me "rroba të pahijshme" dhe "ideologji të papastër".
Përveç pantallonave të ngushta, flokët e lyera, këmishat dhe xhaketat me marka perëndimore janë të jashtëligjshme.
Po ashtu, në Kore të Veriut është e ndaluar edhe piercing në fytyrë.
Sipas burimeve, këto ndalesa kanë nisur në fillim të muajit prill në provincën Hamgyong të Veriut.
Autoritetet theksojnë se mënyra e veshjes dhe e flokëve në stilin koreano-verior luan një rol të rëndësishëm në vendosjen e një stili jetese socialist. Ndërsa, njerëzit që thyejnë rregullat konsiderohen si "delikuentë kapitalistë".
Në deklaratën e ndalesave thuhet se respektimi i modës uniforme është "i lidhur drejtpërdrejt me të ardhmen e atdheut". Ndërkohë, ekipet e Kim synojnë të zbehin shpirtin progresiv dhe krijimtarinë e të rinjve. Ata gjithashtu duan t'i ndalojnë ata të rriten "të pakënaqur ideologjikisht" përmes ekspozimit ndaj kulturave të huaja.