Khamenei e kishte paralajmëruar Nasrallahun për planin izraelit për ta vrarë atë - NACIONALE

Khamenei e kishte paralajmëruar Nasrallahun për planin izraelit për ta vrarë atë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e kishte paralajmëruar kreun e Hezbollahut, Syyed Hassan Nasrallah, që të largohej nga Libani disa ditë para se të vritej nga një sulm izraelit dhe tani është thellësisht i shqetësuar për infiltrimin izraelit të rangjeve të larta qeveritare në Teheran, thanë tri burime iraniane.

Pas sulmit ndaj pejxherëve të Hezbollahut më 17 shtator, Khamenei kishte dërguar një porosi me një emisar për ta lutur kreun e grupit që të largohej nga Libani dhe të shkonte në Iran, duke i cituar burimet e inteligjencës që sugjeronin se Izraeli kishte operativë brenda Hezbollahut dhe po planifikonte që ta vriste atë, i tha agjencisë “Reuters” njëri nga burimet, zyrtar i lartë iranian.

Sipas këtij zyrtari, emisari ishte një komandant i lartë i Rojave Revolucionare të Iranit, Gjeneral Brigade Abbas Nilforoushan, që ishte me Nasrallahun në bunkerin e tij, kur u godit nga bombat izraelite, dhe gjithashtu u vra.

Khamenei, që ka qëndruar në një vend të sigurt në Iran nga e shtuna, personalisht dha urdhër për hedhjen e rreth 200 raketave drejt Izraelit të martën, tha një zyrtar i lartë iranian. Sulmi ishte si hakmarrje për vdekjen e Nasrallahut dhe Nilforoushanit, thanë Rojat Revolucionare në një deklaratë.

Në atë deklaratë përmenden edhe vrasja e kreut të Hamasit, Ismail Haniyeh, në korrik në Teheran, dhe sulmet e Izraelit ndaj Libanit. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e Haniyehut.

Ministria e Jashtme e Iranit, Zyra mediale e Hezbollahut dhe zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që e mbikëqyr agjencinë e inteligjencës, Mossad, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Frika e Iranit për sigurinë e Khameneit dhe humbja e besimit, brenda Hezbollahut dhe establishmentit të Iranit dhe mes tyre, u shfaq në bisedat me dhjetë burime për këtë artikull, që përshkruan një situatë që do të mund ta ndërlikonte funksionimin efikas të aleancës Boshti i Rezistencës të Iranit, që përbëhet nga grupe të armatosura të parregullta anti Izraelit.

I themeluar me përkrahjen e Iranit në vitet e tetëdhjeta, Hezbollahu për një kohë të gjatë ka qenë anëtari më i frikshëm i kësaj aleance, thekson agjencia “Reuters”./Nacionale

Lajme të ngjashme