Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë thotë se tri marrëveshje tregtare gati janë kompletuar
Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Kassett, tha të enjten se tri marrëveshje tregtare gati janë përfunduar dhe pret edhe më shumë të tjera, pavarësisht nga vendimi i një gjykate me të cilin u bllokuan shumica e taksave të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump.
“Ka shumë, shumë marrëveshje në ardhje dhe janë tri që në thelb duken se kanë përfunduar” – tha Hassett në një intervistë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai kundërshtoi një vendim të një gjykate tregtare amerikane të mërkurën, me të cilën u bllokuan shumica e taksave të vendosura nga Trumpi, duke e cilësuar si punë të “gjykatësve aktivistë”. Këshilltari tha se beson që administrata do ta fitojë këtë betejë ligjore në Gjykatën e Apelit.
Sipas këshilltarit Hassett, pikëpamja e administratës amerikane është që shumë shtete do t’i hapin tregjet e tyre për produktet nga Shtetet e Bashkuara në muajin e ardhshëm ose pas dy muajve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka filluar një luftë tregtare me Kinën dhe e ka kërcënuar me taksa edhe Bashkimin Evropian.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pretendon se vendi i tij është dëmtuar me deficit tregtar në raport me shtetet e tjera gjatë administratës së kaluar të ish-presidentit Joe Biden.
Sidoqoftë, ai disa herë është sprapsur nga kërcënimet e tij me taksa, duke e shtyrë afatin e fillimit të zbatimit të tyre ose duke e ulur nivelin e tarifave./Nacionale