Këshilltari i Netanyahut: Thirrjet e Guterresit për armëpushim po i japin litar shpëtimi Hamasit
Mark Regev, këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, “po i ofron litar shpëtimi Hamasit” duke bërë thirrje për armëpushim humanitar.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të premten miratoi një rezolutë që bën thirrje për hapa urgjentë që të lejohet qasja e sigurt dhe e papenguar humanitare në mbarë Gazën, por në këtë dokument nuk bëhet thirrje për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive, raporton televizioni CNN.
“Ne i falënderojmë Shtetet e Bashkuara për përkrahjen e tyre diplomatike në Kombet e Bashkuara, për parandalimin e kalimit të atij lloji të rezolutës në Këshillin e Sigurimit”- tha izraeliti Regev.
Shtetet e Bashkuara abstenuan gjatë votimit të kësaj rezolute të premten, ndërsa më parë i kanë bllokuar me veto përpjekjet për të bërë thirrje për armëpushim përmes rezolutave të Këshillit të Sigurimit.
“Dikush duhet ta bëjë këtë pyetje: a është e mundshme që Hamasi e di se gjasa e vetme e tij për të mbijetuar është përmes sakrifikimit të njerëzve të Gazës dhe duke thënë se ne nuk do të lejojmë që ndihmat të shpërndahen”- shtoi Regevi.
Sipas tij, thirrjet e mëhershme të ushtrisë izraelite që banorët e pjesës veriore të Gazës të lëvizin drejt jugut të enklavës janë “të logjikshme” dhe “gjëja e duhur për t’u bërë”, duke i marrë parasysh rrethanat.
“Tash që luftimet kanë filluar në jug, ne është dashur që të jemi më specifikë dhe kemi kërkuar nga njerëzit që të shkojnë në zona specifike ku ne nuk synojmë që të shohim luftime serioze e intensive”- shtoi ky zyrtar izraelit.