Kazakistani e ndalon mbulimin e fytyrës në vende publike - NACIONALE

Kazakistani e ndalon mbulimin e fytyrës në vende publike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, të hënën nënshkroi një ligj që ua ndalon njerëzve vendosjen e rrobave që ua mbulojnë fytyrën në vende publike, duke iu bashkuar një vargu të shteteve të tjera të Azisë Qendrore që i kufizojnë format e veshjeve islame.

Në tekstin e ligjit thuhet se rrobat që “ndërhyjnë në njohjen e fytyrës” do të ndalohen në publik, me përjashtim të qëllimeve mjekësore, në kushte të ashpra të motit dhe në ngjarje sportive dhe kulturore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në legjislacionin e ri, që është pjesë e një vargu të amendamentimeve më të gjera që u shndërruan në ligj të hënën, nuk përmendet në mënyrë eksplicite feja ose llojet e veshjeve fetare.

Presidenti kazak në të kaluarën e ka vlerësuar lart këtë legjislacion si mundësi për ta çmuar identitetin etnik në Kazakistan, shtet me shumicë myslimane dhe ish-republikë sovjetike.

“Në vend se të vishen rroba të zeza që e mbulojnë fytyrën, është shumë më mirë që të vishen rroba në stilin kombëtar” – citohet të ketë thënë ai më herët këtë vit.

“Rrobat tona kombëtare e theksojnë gjallërisht identitetin tonë etnik, prandaj duhet t’i popullarizojmë ato në mënyrë gjithëpërfshirëse” – shtoi presidenti kazak.

Edhe shtete të tjera të Azisë Qendrore kanë miratuar ligje të ngjashme viteve të fundit.

Policia në Kirgizi kanë kryer patrullime në rrugë për ta zbatuar ndalimin e mbulesës islame të fytyrës, nixhabit, sipas raportimeve të mediave lokale. Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rakhmon, e ka nënshkruar ndalimin e rrobave në publik që “bien ndesh me kulturën kombëtare”./Nacionale

Lajme të ngjashme