Katzi thotë se ushtria izraelite është urdhëruar t’i shpeshtojë sulmet kundër Iranit
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu e kanë udhëzuar ushtrinë izraelite që t’i “shpeshtojë sulmet kundër caqeve strategjike” në Iran, pasi forcat iraniane e kryen sulmin më të ri me raketa balistike ndaj qyteteve në mbarë Izraelin të enjten.
“Diktatori frikacak iranian rri ulur thellë brenda bunkerit të tij të fortifikuar dhe nis sulme të qëllimshme ndaj spitaleve dhe ndërtesave të banimit në Izrael” – tha Katzi në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, duke iu referuar liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, raporton televizioni CNN.
“Këto janë format më të rënda të krimeve të luftës dhe Khamenei do të mbahet përgjegjës për krimet e tij” – shtoi ministri izraelit.
“Kryeministri dhe unë i kemi udhëzuar Forcat e Mbrojtjes të Izraelit që t’i shpeshtojnë sulmet kundër caqeve strategjike në Iran dhe kundër qendrave qeveritare në Teheran, me qëllim të largimit të rreziqeve me të cilat ballafaqohet Shteti i Izraelit dhe për ta destabilizuar regjimin e ajetollahëve” – tha më tej Katzi, sipas deklaratës së publikuar nga ministria e tij.
Të enjten në mëngjes u raportua se një spital në jug të Izraelit është goditur nga një raketë balistike iraniane. Shërbimet emergjente thanë se të paktën 65 persona u lënduan.