Katz: Izraeli do të marrë më shumë tokë në Gaza, nëse Hamasi vazhdon ta refuzojë lirimin e pengjeve - NACIONALE

Katz: Izraeli do të marrë më shumë tokë në Gaza, nëse Hamasi vazhdon ta refuzojë lirimin e pengjeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli do të marrë më shumë territor në Gaza dhe do të luftojë derisa Hamasi të zhduket, nëse grupi palestinez vazhdon ta refuzojë lirimin e pengjeve të mbetura, tha të martën ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.

Ai foli në kohën kur ndërmjetësit i vazhduan përpjekjet për ta shpëtuar marrëveshjen e armëpushimit në Gaza të shembur nga rinisja e sulmeve ajrore dhe operacioneve tokësore izraelite më 18 mars, pasi Izraeli dhe Hamasi dështuan që të pajtoheshin për kushtet e zgjatjes së armëpushimit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Nëse Hamasi vazhdon me mospajtimin e tij, do të paguajë çmime të larta, të cilat bëhen më të larta e më të larta në marrjen e territorit (nga Izraeli) dhe në eliminimin e militantëve dhe infrastrukturës terroriste deri në dorëzimin e plotë të tij” – tha ministri Katz në një video të raportuar nga mediat izraelite.

Hamasi është duke mbajtur ende 59 pengje, ndërsa 24 prej tyre mendohet se janë ende gjallë, në mesin e më shumë se 250 njerëzve që ishin marrë peng gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 ndaj Izraelit. Shumica e pjesës tjetër janë liruar ose trupat e tyre janë dorëzuar gjatë shkëmbimeve të negociuara.

Izraeli ka thënë se nuk do të pranojë kurrë më qeverisje të Hamasit dhe fuqi ushtarake të këtij grupi në Gaza pas sulmit të 7 tetorit, i cili më pas e nxiti fillimin e luftës në Gaza.

Ushtria izraelite tha javën e kaluar se forcat e saj kishin filluar një operacion të përqendruar tokësor në qendër dhe në jug të Rripit të Gazës pas rifillimit të bombardimeve në enklavën e rrethuar që kanë lënë të vrarë qindra palestinezë.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se objektivi i ofensivës së re është që t’i detyrojë militantët islamikë që t’i lirojnë pengjet e mbetura./Nacionale

Lajme të ngjashme