Katër të vrarë nga sulmi raketor rus në Kryvyi Rih të Ukrainës
Një sulm raketor rus la të vrarë të paktën katër njerëz dhe shkatërroi pjesërisht një objekt arsimor në qytetin Kryvyi Rih në jug të Ukrainës të premten, thanë zyrtarët.
Të paktën shtatë persona të tjerë u lënduan, disa prej tyre seriozisht, tha guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk, Serhiy Lysak, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Secili sulm i tillë terrorist është një përkujtim tjetër për atë se me kë kemi punë. Rusia nuk do të ndalet vetë – ajo mund të ndalet vetëm përmes presionit të përbashkët” – tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është lindur pikërisht në Kryvyi Rih.
Dy ndërtesa pesëkatëshe gjithashtu u dëmtuan dhe një tjetër u kaplua nga zjarri, tha guvernatori Lysak.
Disa shpërthime u dëgjuan në qytet, thanë dëshmitarët në rrjete sociale, pasi forca ajrore ukrainase paralajmëroi për rrezikun nga një sulm me raketa balistike nga Krimea e pushtuar nga rusët.
Rusia, që e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës para gati tre vjetëve, nuk i komentoi menjëherë raportimet nga Kryvyi Rih-u.