Katër të vrarë nga një sulm rus në Kharkiv të Ukrainës
Të paktën katër persona u vranë dhe gjashtë të tjerë u lënduan nga sulmet e Rusisë gjatë natës ndaj dy qyteteve më të mëdha të Ukrainës, Kkharkiv dhe Kiev, thanë të martën zyrtarët ukrainas.
Rusia i sulmon rajonet ukrainase gati çdo natë me dronë, ndërsa ushtria ukrainase raportoi se mbrëmë rrëzoi 26 nga 48 dronët e hedhur, raporton agjencia “Reuters”.
Katër njerëz u vranë në Kharkiv pas mesnatës të martën nga bombardimet ruse në distriktin Osnovianskyi, tha në rrjetin “Telegram” kryetari i qytetit, Ihor Terekhov.
Shërbimi emergjent lokal publikoi një video ku punëtorët e shpëtimit shiheshin duke i larguar rrënojat e një ndërtese të shkatërruar plotësisht nën ndriçim artificial dhe duke bartuar një qese të zezë, ku zakonisht vendosen kufomat.
Ky sulm ndodhi pas një sulmi rus me bomba me drejtim në Kharkiv të hënën vonë, që shkatërroi një pjesë të madhe të ndërtesës “Derzhprom”, njëra nga më të njohurat në qytet, që daton nga vitet e njëzeta të shekullit të kaluar.
Në Kiev, mbetjet që ranë nga një dron i shkatërruar rus lënduan gjashtë njerëz dhe shkaktuar zjarr në një ndërtesë banimi, tha kryetari i kryeqytetit ukrainas.
Administrata tha se njësitet e mbrojtjes ajrore po mundoheshin që të sprapsnin një sulm rus me dronë ndaj qytetit dhe se mbetjet e dronëve ranë edhe në distriktin Sviatoshynskyi, në perëndim të qytetit, por nuk pati raportime të menjëhershme për dëme.
Madhësia e sulmit rus gjatë natës nuk qe menjëherë e qartë. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Rusia për këto sulme.