Katër të vdekur e dhjetëra të ngujuar nga shembja e një ndërtese në Afrikë të Jugut
Katër persona kanë vdekur e dhjetëra të tjerë ishin ende të ngujuar të martën herët pas shembjes së një ndërtese shumëkatëshe në qytetin e Afrikës së Jugut, George.
Njëzet e katër punëtorë ndërtimtarie, që ndodheshin në zonën e ndërtesës së papërfunduar, kur ajo u shemb, janë larguar nga rrënojat deri më tani, ndërsa nuk dihet ende për gjendjen e 51 të tjerëve, thuhet në një deklaratë të komunës, raporton agjencia “Reuters”.
Katër prej personave të nxjerrë nga rrënojat janë deklaruar të vdekur deri në orën 5 e 51 minuta të mëngjesit, thuhet më tej në deklaratë.
Përmes pamjeve të incizuara me dron shiheshin ekipet e shpëtimit duke larguar mbetje në përpjekje për të gjetur persona nën rrënoja.
“Po përqendrohemi në zonat... ku në fakt kemi dëgjuar njerëz” – tha Colin Diener, shef i menaxhimit të fatkeqësive në provincën e Kepit Perëndimor, para gazetarëve në vendin e ngjarjes.
“Do të bëhet gjithnjë më vështirë me kalimin e ditëve” – shtoi ai.
Në pamje të kamerave të sigurisë, të siguruara nga agjencia “Reuters”, shihej një re pluhuri përderisa ndërtesa u shemb të hënën pasdite.