Katari thotë se do të nevojitet kohë për t’u arritur armëpushimi mes Izraelit e Hamasit - NACIONALE

Katari thotë se do të nevojitet kohë për t’u arritur armëpushimi mes Izraelit e Hamasit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bisedimet për armëpushim në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit do të kenë nevojë për kohë, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari.

“Nuk mendoj se mund të jap ndonjë afat kohor për momentin, por tani për tani mund të them se do të na nevojitet kohë për këtë” – tha ai, përderisa bisedimet vazhduan për ditën e tretë në Doha, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Ajo që është duke ndodhur mu tani është që të dyja delegacionet janë në Doha. Ne jemi duke biseduar me to ndaras rreth një kornize për bisedime. Pra, bisedimet nuk kanë filluar, deri më tani, por ne po flasim me të dyja palët për atë kornizë” – tha më tej Al-Ansari në një konferencë për gazetarë në Doha.

Ndërkohë, gazeta katarase “Al-Araby Al-Jadeed” raporton se ka pasur progres në bisedime sa i përket mekanizmit për futjen e ndihmave humanitare në Gaza.

Gazeta thekson se Hamasi është duke kërkuar që, gjatë armëpushimit, ndihmat në Gaza të sillen nga Kombet e Bashkuara, e jo nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i cili përkrahet nga Izraeli e ShBA-ja.

Më tutje, gazeta thotë se emisari amerikan, Steve Witkoff, pritet të arrijë në Doha të premten ose të shtunën e kësaj jave.

Lajme të ngjashme