Katari: S’jemi afër paktit për armëpushim në Gaza, por mbesim me shpresë - NACIONALE

Katari: S’jemi afër paktit për armëpushim në Gaza, por mbesim me shpresë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, tha se përderisa ende nuk është afër marrëveshja për armëpushim në Gaza dhe për lirim të pengjeve, Doha mbetet me shpresë.

“Nuk jemi afër një marrëveshje armëpushimi, por mbesim me shpresë” – tha ai në një konferencë për gazetarë në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke shtuar se bisedimet janë duke vazhduar, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Ne nuk po i shohim të dyja palët duke u puqur rreth gjuhës që mund ta zgjidhë mosmarrëveshjen e tanishme për zbatimin e një marrëveshjeje” – shtoi Al-Ansari.

Të gjitha palët “po vazhdojnë që të punojnë në bisedime për të arritur një marrëveshje, me shpresë brenda kufijve të Ramazanit”, tha më tej ai.

Megjithatë, zëdhënësi theksoi se nuk mund të “ofrojë ndonjë afat” për një marrëveshje dhe shpjegoi se situata mbetet “shumë e ndërlikuar në terren”.

Ai tha gjithashtu se Katari është duke punuar për të siguruar një armëpushim të përhershëm në Gaza, më shumë sesa për një armëpushim të shkurtër prej pak ditësh.

Izraeli ka thënë se çfarëdo armëpushimi i arritur duhet të jetë i përkohshëm dhe se qëllimet e tij mbeten shkatërrimi i Hamasit dhe kthimi i të gjitha pengjeve. Në anën tjetër, Hamasi thotë se do t’i lirojë pengjet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje që i jep fund luftës.

Sipas një propozimi për armëpushim 6-javor, deri më tani të refuzuar nga Hamasi, do të liroheshin 40 pengje, përfshirë fëmijë, gra, të moshuar e të sëmurë, në fazën e parë, në këmbim të lirimit të rreth 400 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, me mundësinë që të bisedohet për lirime të mëtejme.

Besohet se 130 pengje të rrëmbyera më 7 tetor të vitit të kaluar nga Hamasi ndodhen ende në Gaza, por jo të gjitha gjallë.

Lajme të ngjashme