Katari “i tmerruar” nga komentet e Netanyahut për këtë shtet: Të papërgjegjshme e destruktive
Katari e ka akuzuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për pengim të përpjekjeve për ndërmjetësim në luftën e Gazës dhe se po i jep përparësi karrierës së vet, pasi në një incizim të rrjedhur pretendohet se ai dëgjohet duke e quajtur “problematik” shtetin e pasur.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, në rrjetin X shkroi: “Ne jemi të tmerruar nga komentet e pretenduara që i janë atribuuar kryeministrit izraelit në raportime të ndryshme të mediave rreth rolit ndërmjetësues të Katarit. Këto komente, nëse vërtetohen, janë të papërgjegjshme e destruktive për përpjekjet për të shpëtuar jetë të pafajshme, por nuk janë të befasishme...”, raporton gazeta “The Guardian”.
“Nëse komentet e raportuara zbulohet se janë të vërteta, kryeministri izraelit vetëm do të ishte duke e penguar dhe minuar procesin e ndërmjetësimit, për arsye që duket se i shërbejnë karrierës së tij politike në vend të bërjes prioritet shpëtimit të jetëve të pafajshme, përfshirë pengjet izraelite”- shtoi Ansari.
We are appalled by the alleged remarks attributed to the Israeli Prime Minister in various media reports about Qatar’s mediation role. These remarks if validated, are irresponsible and destructive to the efforts to save innocent lives, but are not surprising.
— د. ماجد محمد الأنصاري Dr. Majed Al Ansari (@majedalansari) January 24, 2024
For months, and…
Në një incizim të zbuluar nga një takim me familjet e pengjeve, të publikuar në “Channel 12” të martën, Netanyahu e quan Katarin “problematik”, raporton agjencia “Associated Press”.
Dyshohet se Netanyahu në takim ka thënë: “Ju nuk më keni parë duke e falënderuar Katarin, a e keni vërejtur? Unë s’e kam falënderuar Katarin. Pse? Sepse Katari, për mua, nuk dallon në thelb nga OKB-ja, nga Kryqi i Kuq dhe në një mënyrë është edhe më problematik. Megjithatë, unë jam i gatshëm që të përdor cilindo ndërmjetës tani që mund të ndihmojë për t’i sjellë ata [pengjet] në shtëpi.”
Kur iu kërkuar që ta komentonte deklaratën e Katarit dhe të tregonte nëse incizimi i publikuar është i vërtetë, një zëdhënës qeveritar izraelit tha se Izraeli “nuk mund të futet në hollësi në lidhje me përpjekjet dhe hapat e bërë për t’i liruar pengjet”.
Katari, ku jetojnë disa udhëheqës politikë të Hamasit, ka shërbyer si ndërmjetësuesi kryesor mes grupit që e qeveris Gazës dhe zyrtarëve izraelitë në konflikt.
Në nëntor, Katari kishte dhënë ndihmë për të siguruar një pauzë 7-ditore në luftime, gjatë të cilës ishin liruar 110 pengje izraelite e të huaja nga Gaza në këmbim të 240 palestinezëve të liruar nga burgjet izraelite.