Kardinalët takohen sot pas vdekjes së Papa Françeskut që ta planifikojnë funeralin e tij
Kardinalët pritet të takohen të martën për ta planifikuar funeralin e Papa Françeskut, në të cilin do të marrin pjesë udhëheqës nga mbarë bota, para mbledhjes së muajit të ardhshëm në të cilën do të zgjidhet udhëheqësi i ri i Kishës Katolike.
Françesku, 88 vjeç, vdiq të hënën pasi pësoi sulm në zemër, tha Vatikani, duke i dhënë fund një udhëheqësie me turbulence në të cilën ai në mënyrë të përsëritur u përplas me tradicionalistët dhe i mbrojti të varfrit dhe të margjinalizuarit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Papa kaloi pesë javë në spital më herët këtë vit për shkak të pneumonisë së dyfishtë, por u kthye në shtëpinë e tij në Vatikan para gati një muaji dhe dukej se po e merrte veten, duke u shfaqur madje në Sheshin e Shën Pjetrit për Pashkë të dielën.
Të gjithë kardinalët që tani për tani ndodhen në Romë janë ftuar që të mblidhen në Vatikan në orën 9 të paradites, ku pritet t’i bëjnë planet për funeralin e të ndjerit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili në mënyrë të përsëritur ishte përplasur me Papa Françeskun për emigrantët, tha se bashkë me bashkëshorten do të udhëtojë në Romë për të marrë pjesë në funeral. Në mesin e udhëheqësve të tjerë që pritet të marrin pjesë është edhe presidenti i Argjentinës, Javier Milei. Argjentina është atdheu i Papa Françeskut.
Vatikani ka thënë se pret që ceremonia të mbahet mes së premtes dhe të dielës. Si thyerje e traditës, Françesku ka kërkuar në testament, i cili u zbulua të hënën, që të mos varroset në Basilikën e Shën Pjetrit por në Basilikën e Shën Mërisë.
Mbledhja me diskutime sekrete për zgjedhjen e një pape të ri zakonisht mbahet 15 deri në 20 ditë pas vdekjes së papës së vjetër, që do të thotë se ajo nuk do të fillojë para 6 majit. Rreth 135 kardinalë kanë të drejtë që të marrin pjesë në votimin shumë sekret, i cili mund të zgjasë me ditë.
Tani për tani, nuk ekziston ndonjë favorit i qartë për ta zëvendësuar Papa Françeskun./Nacionale