“Kapadaillëk”: Edhe Brazili kundër planit të Trumpit për Gazën e kërcënimeve me taksa
Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, të mërkurën doli kundër propozimit të homologut amerikan, Donald Trump, që ShBA-ja ta marrë përsipër Rripin e Gazës dhe i hodhi poshtë ambiciet e tij ekspansioniste dhe kërcënimet me taksa kundër partnerëve tregtarë, duke i cilësuar si “kapadaillëk”.
“Asnjë shtet, pavarësisht se sa i rëndësishëm, nuk mund të luftojë me tërë botën tërë kohën” – tha presidenti brazilian në një intervistë për radiot lokale, kur u pyet për Trumpin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trumpi të martën propozoi që ShBA-ja ta marrë përsipër Gazën për të ndërtuar një “rivierë të Lindjes së Mesme” pas zhvendosjes së palestinezëve në një vend tjetër, duke nxitur kritika nga fuqitë ndërkombëtare, përfshirë Francën, Britaninë, Gjermaninë e Kinën.
“Nuk ka logjikë... Ku do të jetonin palestinezët? Kjo është e pakapshme për cilëndo qenie njerëzore” – tha Lula, duke e mbrojtur zgjidhjen me dy shtete dhe duke i quajtur përsëri “gjenocid” veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza.
“Palestinezët janë ata që duhet të përkujdesen për Gazën” – shtoi presidenti brazilian.
Përpos Gazës, presidenti amerikan e ka përmendur mundësinë që ShBA-ja t’i marrë nën kontroll edhe Kanalin e Panamasë e Grenlandën si dhe disa herë ka sugjeruar se Kanadaja mund të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, ai i ka kërcënuar Kanadanë e Meksikën me masa ekonomike, i ka vënë taksa Kinës dhe ka kërcënuar partnerë të tjerë tregtarë me masa të ngjashme, përfshirë Bashkimin Evropian dhe vendet e grupit BRICS.
“Edhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për botën. Ato duhet të jetojnë në harmoni me Brazilin, Meksikën, Kinën. Askush nuk mund të jetojë nga kapadaillëku tërë kohën, duke bërë kërcënime tërë kohën” – tha presidenti brazilian./Nacionale