Kancelari gjerman për çështjen ShBA – Grenlandë: Nuk e duam këtë përshkallëzim
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka thënë se do të mundohet që të takohet të mërkurën me presidentin amerikan, Donald Trump, në një takim të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke shtuar se askush nuk përfiton nga taksat.
“Ne nuk e duam këtë përshkallëzim. Nuk duam një mosmarrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – tha kancelari gjerman, i cili theksoi se ShBA-ja dikur kishte “mbi 30 mijë ushtarë të stacionuar në Grenlandë… por tani për tani atje janë më pak se 200”, raporton televizioni BBC.
Më tej, Merzi tha se “qartazi, edhe vetë analiza e Shteteve të Bashkuara për rreziqe nuk është aq dramatike sa po paraqitet tash për tash”.
“Situata e sigurisë do të mund të bëhej më e vështirë dhe, pasi është territor evropian i NATO-s, ne kemi interesim për ta mbrojtur këtë zonë, gjithashtu” – deklaroi kancelari gjerman.
Ai gjithashtu bëri të ditur se një mision zbulimi që u krye fundjavën e kaluar, kur zyrtarët thanë se një kontingjent i vogël ushtarak francez kishte arritur në Grenlandë, “u diskutua paraprakisht në Këshillin e NATO-s, në praninë e përfaqësuesit amerikan”.
“Pra, për qeverinë amerikane kjo nuk erdhi si befasi që po ndodhte. Ishte njoftuar, kishte pajtim për këtë… asnjëherë nuk ishte një veprim ushtarak” – tha Merzi.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar një taksë shtesë prej 10 për qind ndaj disa vendeve evropiane që janë deklaruar kundër marrjes së Grenlandës nën kontroll nga ShBA-ja./Nacionale