Kanadaja ka përgatitur listë miliardëshe të hakmarrjes në rast taksash nga Trumpi
Kanadaja do të mund të vendoste kundërmasa ndaj importeve amerikane me vlerë deri në 105 miliardë dollarë, nëse presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u vendos taksa mallrave dhe shërbimeve kanadeze, tha të mërkurën një burim i afërt me këtë çështje.
Kanadaja ka hartuar një listë të shënjestrave, por do të zhvillonte konsultime publike para se të vepronte, tha burimi, duke shtuar se niveli i çfarëdo reagimi të mundshëm do të varet nga ajo që do ta bëjë Trumpi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gazeta kanadeze, “Toronto Star”, ishte e para që raportoi rreth kundërmasave të propozuara.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, më herët u takua me kryeministrat rajonalë të dhjetë provincave të Kanadasë për të diskutuar se si të reagohet ndaj ndonjë takes të ShBA-së dhe për listën e caqeve të taksave, tha burimi, i cili kërkoi anonimitet, sepse nuk ishte i autorizuar për të foluar me media.
Trumpi thotë se dëshiron që t’u vendos taksë prej 25 për qind mallrave kanadeze për ta shtyrë Kanadanë që ta fuqizojë sigurinë kufitare në mënyrë që të luftohet rrjedha e emigrantëve të paligjshëm dhe që të zvogëlohet trafikimi i fentalinilit, veprim që duket se do të shkelte një marrëveshje për tregti të lirë.
Një veprim i tillë do të ishte masë e rëndë, duke marrë parasysh se Kanadaja dërgon 75 për qind të të gjitha mallrave dhe shërbimeve të saj në Shtetet e Bashkuara.
Burimi tha se kundërmasat e propozuara do të ndaheshin në tri grupe. Nëse Trumpi e realizon kërcënimin kundër vendit fqinj, Kanadaja menjëherë do të vinte në shënjestër një grup të vogël të mallrave, përfshirë lëngun e portokallit nga Florida, ku jeton presidenti i zgjedhur amerikan.
“Asgjë nuk mund të jetë jashtë tavolinës, nëse ShBA-ja vazhdon që të zgjedhë për të lëvizur përpara me këto taksa ndëshkuese” – tha Trudeau pas takimit me kryeministrat provincialë.
“Unë e mbështes parimin e një kundërpërgjigje proporcionale dollar për dollar” – shtoi ai./Nacionale