Kanadaja do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake prej 65 milionë dollarësh kanadezë
Kanadaja planifikon që t’i japë Ukrainës një pako të ndihmës ushtarake me vlerë të 64,8 milionë dollarësh kanadezë.
Ministri i Mbrojtjes i Kanadasë, Bill Blair, tha të premten në një deklaratë se në këtë pako përfshihen armë të vogla, municion dhe pajisje mbrojtëse, raporton agjencia “Reuters”.
Pakoja e ndihmës, me të cilën gjithashtu ndahen para për trajnimin e trupave ukrainase, është pjesë e financimit ushtarak prej 500 milionë dollarësh kanadezë, për të cilin ishte zotuar në korrik kryeministri i shtetit të madh të Amerikës së Veriut, Justin Trudeau.
“Asistenca ushtarake e njoftuar sot i ofron Ukrainës burime të rëndësishme që nevojiten për ta mbrojtur veten kundër agresionit rus. Kanadaja do të vazhdojë që ta bëjë atë që nevojitet për t’i ndihmuar ata që ta arrijnë fitoren” – tha ministri Blair.
Kanadaja, njëra nga përkrahëset më të fuqishme të Kievit në komunitetin ndërkombëtar, muajin e kaluar tha se do t’i dhuronte Ukrainës 80 mijë e 840 raketa të vogla të paarmatosura ajër – tokë si dhe 1.300 koka raketash.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kanadaja është zotuar për ndihma ushtarake në vlerë të 4,5 miliardë dollarëve kanadezë për Kievin./Nacionale