Kanadaja do të ndërmarrë masa ligjore në organe ndërkombëtare kundër taksave të ShBA-së - NACIONALE

Kanadaja do të ndërmarrë masa ligjore në organe ndërkombëtare kundër taksave të ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanadaja do të ndërmarrë veprime ligjore në organe ndërkombëtare përkatëse për ta sfiduar taksën prej 25 për qind të vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj shumicës së mallrave kanadeze, tha të dielën një zyrtar qeveritar, duke e cilësuar tarifën si të paligjshme dhe të pajustifikuar.

Komentet vijnë një ditë pasi kryeministri kanadez, Justin Trudeau, njoftoi një varg taksash hakmarrëse prej 25 për qind ndaj prodhimeve amerikane si kundërpërgjigje ndaj masës së njoftuar të shtunën nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne pa dyshim se do ta ndjekim kanalin ligjor që ne besojmë se e kemi përmes marrëveshjeve që i ndajmë me Shtetet e bashkuara” – tha zyrtari kanadez, duke i njoftuar gazetarët në Otavë në kushte anonimiteti.

Trumpi vendosi taksë importi prej 25 për qind ndaj të gjitha mallrave kanadeze, me përjashtim të produkteve të energjisë si nafta, gazi e rryma, të cilat do të ngarkohen me taksë prej 10 për qind me të hyrë në ShBA. Taksa prej 25 për qind do të hyjë në fuqi të martën, ndërsa tarifa ndaj produkteve të energjisë do të fillojë së zbatuari nga data 18 shkurt.

Si kundërpërgjigje, Kanadaja ka vendosur taksa ndaj 1.256 produkteve, ose 17 për qind të të gjitha produkteve të importuara nga Shtetet e Bashkuara, gjithashtu duke filluar nga e marta. Në këtë grup përfshihen lëngu i portokallit, vera, birra, motoçikletat, produktet e kozmetikës e disa të tjera, që pritet ta arrijnë vlerën e 30 miliardë dollarëve kanadezë.

Qeveria kanadeze do të publikojë një listë tjetër brenda tri javëve, e cila do të përfshijë prodhime si automjetet për pasagjerë e kamionët, përfshirë automjetet elektrike, produktet e çelikut dhe të aluminit, pemë e perime të caktuara, prodhime për aerohapësirën, tha në një deklaratë Qeveria e Kanadasë, duke shtuar se vlera e përgjithshme e këtyre importeve është 125 miliardë dollarë kanadezë.

Zyrtari kanadez tha se Qeveria e vendit të tij e cilëson të paligjshme masën e vendosur nga Trumpi dhe se ajo i shkel zotimet tregtare mes dy vendeve sipas marrëveshjes së tyre për tregti të lirë dhe sipas Organizatës Botërore të Tregtisë.

“Nëse rrugë të tjera ligjore janë në dispozicionin tonë, edhe ato do të shqyrtohen” – shtoi zyrtari kanadez.

Taksat e ShBA-së dhe kundërmasat e Kanadasë do të kenë një efekt në ekonominë kanadeze, tha zyrtari, i cili refuzoi që të jepte hollësi rreth kësaj çështjeje./Nacionale

Lajme të ngjashme