Kanadaja do ta rinisë financimin e asistencës për Gazën përmes OKB-së - NACIONALE

Kanadaja do ta rinisë financimin e asistencës për Gazën përmes OKB-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kanadaja njoftoi të premten se do ta rifillojë asistencën për popullin e Gazës përmes agjencisë kryesore të OKB-së në këtë enklavë, UNRWA, pasi kjo organizatë zbatoi “procese domethënëse” për t’i adresuar dyshimet se disa punëtorë të saj ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Kanadaja ishte në mesin e disa shteteve që i kishin pezulluar fondet pas qarkullimit të këtyre pretendimeve, raporton televizioni CNN.

“Sot, Ahmed Hussen-i, ministër i Zhvillimit Ndërkombëtar, njoftoi se Kanadaja do ta largojë ndërprerjen e përkohshme të financimit të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Lehtësim dhe Punë për Refugjatë Palestinezë në Lindje të Afërt (UNRWA)” – tha Qeveria e Kanadasë.

Qeveria tha se “e përshëndet rishikimin e pavarur të UNRWA-së tash për tash në zhvillim”, duke shtuar se “OKB-ja ka futur në fuqi disa procese domethënëse për t’i adresuar akuzat dhe për ta përforcuar tolerancën e saj zero ndaj terrorit brenda OKB-së, përfshirë UNRWA-në”.

Kanadaja tha se do ta rifillojë financimin në mënyrë që më shumë të mund të bëhet për t’iu përgjigjur nevojave urgjente të civilëve palestinezë.

“Kanadaja është thellësisht e shqetësuar nga gjendja katastrofale humanitare në Gaza që po përkeqësohet orë e çast. Ndihma duhet të arrijë te civilët as më shpejt që është e mundshme” – thuhet më tej në deklaratë.

Ministri Hussen nuk tregoi se kur saktësisht do të rinisë financimi për agjencinë e OKB-së që merret me refugjatët palestinezë.

Juliette Touma, drejtoreshë e komunikimit në UNRWA, e mirëpriti vendimin e Kanadasë dhe u bëri thirrje shteteve të tjera që i kanë pezulluar fondet që t’i rishqyrtojnë vendimet e tyre.

Lajme të ngjashme