Kanaçet e pijeve energjike në ShBA mbushen gabimisht me vodka, jepet paralajmërim
Autoritetet amerikane i kanë paralajmëruar konsumatorët e pijeve energjike “Celsius” që t’i kontrollojnë kanaçet që i blejnë, pasi disa prej tyre janë mbushur aksidentalisht me vodkë.
Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e ShBA-së (USFDA) e lëshoi paralajmërimin për versionin “Astro Vibe Blue Razz” të kësaj pijeje, raporton televizioni BBC.
Gabimi ndodhi pasi një furnizues i ambalazhimit gabimisht dërgoi kanaçe boshe “Celsius” te kompania e vodkës së gazuar, “High Noon”, e cila i mbushi ato me pije alkoolike.
Edhe kompania “High Noon” do të tërheqë disa pako të pijes “Beach Variety”, të cilat vijnë nga linja e njëjtë e prodhimit. Nuk është raportuar për sëmundje apo efekte negative nga produktet e prekura, tha USFDA-ja.
Tërheqja e produkteve prek dy lote të prodhimit, të cilat USFDA-ja i publikoi në uebfaqen e vet. Produktet janë dërguar te shitësit me pakicë në Florida, Nju-Jork, Ohio, Karolinë të Jugut, Virgjinia dhe Wisconsin, mes 21 e 23 korrikut.
“Konsumatorët këshillohen që t’i hedhin kanaçet e pijeve energjike “Celsius Astro Vibe” dhe “Sparkling Blue Razz Edition” me kodet e loteve që janë prekur dhe të mos e konsumojnë lëngun” – tha USFDA-ja.
Pakot e pijeve “Beach Variety” të prodhuesit “High Noon” me kode të tjera të loteve nuk janë të prekura nga tërheqja prej tregut dhe janë të sigurta për t’u konsumuar, thuhet më tej në njoftim./Nacionale