Kalifornia po e përdor inteligjencën artificiale për t’i zbuluar zjarret në natyrë - NACIONALE

Kalifornia po e përdor inteligjencën artificiale për t’i zbuluar zjarret në natyrë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zjarrfikësit në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara po e përdorin inteligjencën artificiale për t’i zbuluar më lehtë zjarret në natyrë, duke u furnizuar me pamje nga më shumë se një mijë kamera të vendosura në zona strategjike në mbarë shtetin e të lidhura me një sistem që i njofton zjarrfikësit se kur duhet të mobilizohen.

Si shembull i potencialit të programit “ALERTCalifornia”, të nisur muajin e kaluar, një kamerë vërejti një zjarr që shpërtheu në orën 3 të mëngjesit në Pyllin Kombëtar të Clevelandit, rreth 80 kilometra në lindje të San Diegos, raporton agjencia “Reuters”.

Kur njerëzit ishin në gjumë e errësira e fshihte tymin, zjarri do të mund të përhapej, por inteligjenca artificiale e njoftoi kapitetin e zjarrfikësve, i cili thirri rreth 60 zjarrfikës me shtatë kamionë, dy buldozerë, dy cisterna uji e dy ekipe për punë krahu. Zjarri u shua për 45 minuta, thanë zjarrfikësit e Kalifornisë.

E zhvilluar nga inxhinierët e Universitetit California San Diego përmes inteligjencës artificiale të kompanisë “DigitalPath”, platforma mbështetet në 1.038 kamera të vendosura nga agjenci të ndryshme publike dhe kompani të energjisë në mbarë shtetin. Secila kamerë mund të rrotullohet 360 shkallë me komandë nga operatori në largësi.

Zjarrfikësit e Kalifornisë shpresojnë se kjo teknologji një ditë do të mund të shërbejë si model për shtetet e tjera amerikane dhe shtetet në mbarë botën. Nevoja për këtë mbështetje është vënë në pah nga zjarret jashtëzakonisht shkatërruese në Hawai, Kanada e në rajonin e Mesdheut këtë verë.

“Është 100 për qind e zbatueshme kudo në botë, sidomos tani që po ballafaqohemi me regjime zjarri shumë më të mëdha e më të shpeshta dhe me ndryshimin e klimës”- tha zonja Suzann Leininger, specialiste e inteligjencës për zjarrfikësit e Kalifornisë.

Lajme të ngjashme