Jugu dyshon se Koreja Veriore po përgatitet për të dërguar më shumë ushtarë në Rusi
Ushtria e Koresë së Jugut tha të premten se dyshon që Koreja e Veriut është duke u përgatitur për të dërguar më shumë trupa në Rusi për të luftuar kundër forcave ukrainase, edhe pas pësimit të humbjeve dhe kapjes së disa ushtarëve verikoreanë.
“Përderisa katër muaj kanë kaluar për dërgimin e trupave në luftën Rusi – Ukrainë dhe shumë pasoja në njerëz e kapje kanë ndodhur, (Koreja e Veriut) dyshohet se është duke i përshpejtuar masat pasuese dhe përgatitjen për një dërgim shtesë të trupave” – thuhet në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugkoreane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në analizën e Shtabit të Përgjithshëm nuk u saktësua se çfarë masash pasuese mund të ndërmarrë Penjani. Sidoqoftë, aty thuhet se Koreja e Veriut është gjithashtu duke u përgatitur për të lëshuar një satelit spiun dhe një raketë balistike ndërkontinentale, edhe pse nuk kishte shenja për veprim të menjëhershëm.
Këtë muaj, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se dy ushtarë të Koresë së Veriut ishin kapur në rajonin Kursk të Rusisë, duke e shënuar herën e parë që Ukraina kishte kapur ushtarë verikoreanë të gjallë që nga hyrja e tyre në luftë në vjeshtën e vitit të kaluar.
Penjani ka dislokuar rreth 11 mijë ushtarë për t’i mbështetur forcat ruse në rajonin Kursk, sipas vlerësimeve ukrainase e perëndimore. Ukraina nisi një sulm të befasishëm në këtë rajon rus në gusht të vitit të kaluar.
Sipas Kievit, më shumë se tre mijë ushtarë nga Koreja e Veriut janë vrarë ose janë plagosur./Nacionale