Jemeni, vendi i fëmijëve të një lufte të harruar - NACIONALE

Jemeni, vendi i fëmijëve të një lufte të harruar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëse vuajtja do të kishte adresë, do të mund të ishte Rruga “Al-Rasheed” në Taiz, qytet i rrethuar me male dhe luftëtarë rebelë të grupit “Houthi”. Në këtë rrugë me shtëpi me mure të vrazhda, të rinjtë s’mund ta shmangin konfliktin dërrmues që bota priret për ta harruar.

Një djalë thatanik me flokë të zeza na drejton rrugës, duke i shmangur me shkathtësi gropat – me paterica. Bader al-Harbi është 7 vjeç, pak më i ri se lufta e Jemenit. Këmba e djathtë i është amputuar mbi gju. Në maicë i shkruan “Sport”, raporton televizioni BBC.

Prapa shtëpisë së familjes së tij, Baderi ulet në disa tulla, me këmbën e këputur të shpërfaqur. Në këmbën tjetër nuk ka këpucë. Vëllai i tij i madh, Hashimi, qëndron pranë tij, duke i ndarë me të traumën dhe heshtjen e tij.

Këmba e djathtë e Hashimit është dëmtuar dhe asaj i mungon gishti i madh. E trazon pa u ndalur me duar, sikur mundohet që t’i shlyejë plagët.

Djemtë u goditën nga bombardimet e rebelëve të grupit “Houthi” në një mëngjes tetori vitin e kaluar, përderisa po ktheheshin nga shkolla në shtëpi për pushim, sipas babait të tyre, Al-Harbi Nasser Al-Bajnahi. Ata nuk janë kthyer në shkollë që nga ajo kohë.

“Gjithçka ndryshoi tërësisht”- thotë ai, ulur këmbëkryq në një dyshek. “Nuk luajnë më jashtë me fëmijë të tjerë. Janë me aftësi të kufizuara. Janë të frikësuar dhe kanë probleme psikologjike”- shtoi burri jemenas.

Me zë të ulët, duke tingëlluar më i njomë se mosha e tij 9-vjeçare, Hashimi thotë se do të donte që të kthehej në shkollë. “Dua të studioj dhe të mësoj”- i thotë ai gazetares së BBC-së, Orla Guerin. Ajo e pyeti edhe vëllanë e Hashimit, Baderin, nëse donte që të shkonte në shkollë. “Po, por këmba më është prerë, si mund të shkoj”- i përgjigjet ai me një pyetje tjetër.

Babai i tyre thotë se djemtë nuk i janë përfshirë në vitin e ardhshëm shkollor, sepse ai nuk ka të holla për transport. Për më tepër, ai nuk ka zgjidhje për ta larguar familjen nga rruga e dëmtimit.

“Edhe pse jemi të frikësuar, s’kemi se ku të jetojmë diku tjetër, sepse qiraja do të ishte më e shtrenjtë. Pra, ne jemi të detyruar që të qëndrojmë këtu, në jetofshim a në vdekshim”- i tha ai gazetares.

Në vijat e frontit, në Taiz, Baderi dhe Hashimi ende flenë e zgjohen me zhurmat e luftës. “Dëgjoj shpërthime dhe ka snajperë. Ata qëllojnë gjithçka në lagje. Më duket se mund të ketë shpërthim afër meje ose që shtëpia mund të hidhet në erë”- tha Baderi.

Ekipi i BBC-së ec disa hapa deri te shtëpia tjetër, ku është shkatërruar edhe fëmijëria e dikujt tjetër.

Në prag të derës shfaqet Amiri, 3-vjeçar i qetë dhe me pamje të zymtë. Në vend të këmbës së djathtë ka protezë. Babai i tij, Sharif al-Amri, e ndihmon që të qëndrojë në këmbë dhe përkulet shpesh për ta puthur në ballë.

Amiri u gjymtua në të njëjtën ditë me Baderin dhe Hashimin, vetëm disa orë më vonë. Ai ndodhej në shtëpinë e një të afërmi matanë rrugës, kur objekti u bombardua, duke i lënë të vrarë dajën e tij dhe kushëririn 6-vjeçar. Amiri mbijetoi, por në mendje i kanë mbetur kujtimet e tmerrshme.

“I kujtohet çdo moment pas bombardimit derisa kishte arritur në spital. Thotë: Kjo i ndodhi dajës e kjo i ndodhi kushëririt. Flet për tymin e gjakun që i ka parë. Kur i sheh fëmijët duke luajtur, zemërohet dhe thotë: Unë s’kam një këmbë”- rrëfen babai i tij.

Për më shumë se tre mijë ditë, Taizi ka qenë në thelb i rrethuar, duke shërbyer si fushë e betejës mes forcave qeveritare e rebelëve të grupit “Houthi”, dhe të rinjtë nuk janë kursyer.

Një mjek i tha ekipit të BBC-së se nga viti 2015, ai ka trajtuar rreth 100 fëmijë me gjymtyrë të amputuara, të gjymtuar nga bombardimet e rebelëve, minat e municioni i pashpërthyer.

Shumica e fëmijëve të gjymtuar ose të vrarë në Taiz gjatë viteve kanë qenë viktima të rebelëve. Disa të tjerë kanë vdekur nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite – në vitet e hershme të luftës – dhe disa janë vrarë nga forcat qeveritare. Të gjitha palët i kanë duart me gjak.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme