Jemeni pritet të ekzekutojë një infermiere indiane – pse u dënua me vdekje? - NACIONALE

Jemeni pritet të ekzekutojë një infermiere indiane – pse u dënua me vdekje?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një infermiere indiane, e dënuar me vdekje në Jemenin e rrënuar nga lufta, pritet të ekzekutohet më 16 korrik, i kanë thënë televizionit BBC disa aktivistë që po punojnë për ta shpëtuar atë nga dënimi i rëndë.

Nimisha Priya është dënuar me vdekje për vrasjen e një banori lokal – ish-partneri i saj në biznes, Talal Abdo Mahdi, trupi i copëtuar i të cilit ishte zbuluar në një rezervuar uji në vitin 2017, raporton televizioni BBC.

Mënyra e vetme që indiania të shpëtohet është që familja e Mahdit ta falë atë. Të afërmit dhe përkrahësit e saj kanë ofruar 1 milon dollarë dëmshpërblim për familjen e të vrarit.

“Ende jemi duke e pritur faljen e tyre ose ndonjë kërkesë tjetër” – i tha televizionit BBC një anëtar i Këshillit “Shpëtojeni Nimisha Priyan”.

“Data e ekzekutimit është përçuar nga drejtori i përgjithshëm i organit prokurorial tek autoritetet e burgut. Ne ende jemi duke u munduar që ta shpëtojmë atë, por në fund familja duhet të pajtohet për falje” – tha Babu John, aktivist social dhe anëtar i këtij këshilli.

Një zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Indisë i tha BBC-së se ata ende po mundohen që t’i verifikojnë hollësitë.

Nimisha Priya ishte larguar nga shteti jugor indian, Kerala, dhe kishte shkuar në Jemen në vitin 2008 për të punuar si infermiere.

Ajo ishte arrestuar në vitin 2017, pasi ishte gjetur trupi i Mahdit. 34-vjeçarja është duke u mbajtur në burgun qendror në Sanaa, kryeqytet i Jemenit.

Infermierja është akuzuar për vrasjen e Mahdit duke i dhënë atij “mbidozë të qetësuesve” dhe për copëtimin e trupit të tij.

Priya i ka mohuar akuzat. Në gjykatë, avokati i saj ka argumentuar se Mahdi e kishte torturuar fizikisht infermieren, ia kishte marrë të gjitha paratë e saj dhe pasaportën dhe madje e kishte kërcënuar me një armë.

Avokati ka thënë se ajo ishte munduar që ta vinte në gjumë Mahdin vetëm sa për ta marrë pasaportën e vet, por se doza ishte rritur në mënyrë aksidentale.

Në vitin 2020, një gjykatë lokale e dënoi me vdekje indianen. Familja e saj e sfidoi vendimin duke apeluar në Gjykatën Supreme të Jemenit, por apeli u hodh poshtë në vitin 2023.

Në fillim të janarit, Mahdi al-Mashat, president i Këshillit Politik Suprem të rebelëve Houthi e miratoi ekzekutimin e të dënuarës./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme