Japonia regjistron temperaturë rekorde, shtohet shqetësimi për të mbjellat e orizit - NACIONALE

Japonia regjistron temperaturë rekorde, shtohet shqetësimi për të mbjellat e orizit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Japonia e regjistroi të martën temperaturën më të lartë ndonjëherë – 41,8 gradë Celsius. Ky fakt e nxiti Qeverinë që t’u bënte thirrje banorëve që të qëndronin brenda shtëpive dhe të premtonte hapa për lehtësimin e dëmit të lidhur me motin ndaj të mbjellave të orizit.

Temperatura në qytetin lindor Isesaki, në prefekturën Gunma, e kaloi rekordin e mëhershëm prej 41,2 gradësh që ishte regjistruar javën e kaluar në qytetin Tamba të prefekturës Hyogo, tha agjencia meteorologjike e vendit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Deri më tani këtë verë, më shumë se 53 mijë njerëz janë dërguar në spitale për goditje nga vapa, sipas Agjencisë për Menaxhimin e Zjarreve dhe Katastrofave.

“Sot është nxehtë në mënyrë vrastare” – tha 63-vjeçari Takeshi Ishikawa, i cili po e mbushte me ujë shishen e tij në një fontanë në Tokio. “Nëse temperatura shkon në 42 gradë, do të ishte më nxehtë se banja që e përgatis në 40 gradë” – shtoi ai.

Temperaturat mesatare në mbarë Japoninë kanë vazhduar të rriten pas shënimit të rekordit në korrik për vitin e tretë rresht, përderisa rajoni verilindor, përgjatë Detit të Japonisë, ka regjistruar nivele të ulëta kritike të reshjeve të shiut, duke e shtuar shqetësimin për të mbjellat e orizit.

“Ne duhet të veprojmë me shpejtësi dhe me ndjenjën e krizës për ta parandaluar dëmin” nga temperaturat e larta, tha në një konferencë për gazetarë ministri i Fermave, Shinjiro Koizumi. Ai premtoi se Qeveria do të ofrojë mbështetje për kontrollimin e insekteve dhe masa për luftimin e thatësisë.

Vapa e madhe në vitin 2023 e kishte dëmtuar cilësinë e orizit, duke shkaktuar mungesë akute vitin e kaluar, e cila ishte përkeqësuar nga leximi i gabuar i furnizimit dhe kërkesës nga Qeveria.

Kjo situatë kishte çuar në çmime historikisht të larta të ushqimit bazë, duke shkaktuar krizë kombëtare./Nacionale

Lajme të ngjashme