Japonia e dënon me vdekje personin që qëllimisht e kishte ndezur zjarrin me 36 viktima
Një burrë japonez është dënuar me vdekje për sulm me zjarrvënie të qëllimshme në një studio animacioni më 2019, kur kishin mbetur të vdekur 36 persona e dhjetëra të tjerë ishin lënduar.
Nga ky incident, njëri nga më vdekjeprurësit në Japoni në dekadat e fundit, kishin vdekur kryesisht artistë të rinj, raporton televizioni BBC.
Shinji Aoba, 45 vjeç, ishte deklaruar fajtor për sulmin, por avokatët e tij kishin kërkuar dënim më të butë, duke u arsyetuar mbi bazën e “paaftësisë mendore”.
Megjithatë, gjykatësit e hodhën poshtë këtë justifikim, duke vlerësuar se Aoba e dinte se çfarë po bënte.
“Unë kam përcaktuar se i pandehuri nuk ishte mendërisht i çmendur ose i dobët në kohën e krimit”- tha të enjten kryegjykatësi Masuda në Gjykatën e Qarkut të Kyotos.
“Vdekja e 36 njerëzve është tepër serioze dhe tragjike. Frika dhe dhimbja e viktimave të ndjera, e papërshkrueshme”- shtoi ai, sipas raportimit të transmetuesit NHK.
Shumë pjesëtarë të stafit të studios kishin vdekur, pasi kishin mbetur të ngujuar në katet e sipërme të ndërteses, përderisa zjarri po përhapej në objekt.
Prokurorët kishin kërkuar dënim me vdekje për të akuzuarin, duke thënë se Aoba ishte motivuar për ta sumuar studion, pasi besonte se puna e tij ishte vjedhur. Ai kishte thënë se studioja kishte bërë plagjiaturë të një romani.
Në korrik të vitit 2019, ai kishte hyrë në ndërtesë, kishte derdhur benzinë në katin përdhes dhe e kishte ndezur zjarrin.
Më vonë, gjatë pranimit të fajësisë, në shtator të vitit 2023, i akuzuari kishte thënë se nuk e dinte se sa njerëz do të mbeteshin të ngujuar në ndërtesë.
“Më dukej se nuk kisha opsion tjetër, pos ta bëja atë që e bëra. Më vjen jashtëzakonisht keq dhe këtu përfshihet një ndjenjë e fajit”- kishte thënë tashmë i dënuari.
Vetë Aoba kishte pësuar djegie në më shumë se 90 për qind të trupit dhe ishte arrestuar vetëm pasi ishte forcuar pak pas operacioneve.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli