Izraeliti 71-vjeçar hyn pa leje në Liban, vritet
Një civil 71-vjeçar izraelit u vra të mërkurën bashkë me një ushtar gjatë një beteje me armë me operativë të Hezbollahut, pasi kishte hyrë në jug të Libanit pa miratimet e kërkuara, përderisa ishte i shoqëruar nga një oficer i lartë i ushtrisë izraelite.
Në një incident tjetër, një rezervist izraelit u vra, kur një ndërtesë e dëmtuar u shemb gjatë një operacioni herët në mëngjes në jug të Libanit, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, komandanti i Brigadës “Golani”, Kolonel Yoav Yarom, e lejoi hulumtuesin Zeev Erlich, 71 vjeç, të hynte në sektorin perëndimor të Libanit jugor për të ekzaminuar një vend arkeologjik – një kështjellë të lashtë.
Zyra e zëdhënësit të ushtrisë izraelite tha se koloneli nuk e kishte autoritetin për ta miratuar hyrjen e civilit dhe se nuk ishte ndjekur procesi i duhur për hyrjen e një civili bashkë me ushtarët.
Në incident u vra edhe rreshteri Gur Kehati, 20 vjeç, pjesë e Batalionit të 13-të të Brigadës “Golani”.
Edhe pse besohej se zona ishte pastruar nga ushtria, dy operativë të Hezbollahut ishin duke u fshehur dhe hapën zjarr në drejtim të hulumtuesit, oficerit të lartë dhe ushtarëve të tjerë që po i shoqëronin ata.