Izraelit i vritet edhe një ushtar rezervist gjatë luftimeve në Gaza
Një ushtar rezervë i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit u vra gjatë luftimeve në pjesën jugore të Rripit të Gazës të hënën, njoftoi të martën ushtria izraelite. Kjo është vdekja e dytë brenda disa orëve, përderisa ushtria po vazhdon me një ofensivë të re në enklavë.
Ushtari i vrarë u identifikua si Rreshter Major (rezervist) Vladimir Loza, 36 vjeç, nga Ashkeloni. Ai ishte pjesëtar i Batalionit 7020 të Brigadës së 5-të, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, Loza u vra pasi një ndërtesë u shemb nga një shpërthim gjatë operacioneve në zonën e qytetit Rafah. Ushtria dyshon se shpërthimi u shkaktua nga një mjet shpërthyes i vendosur nga luftëtarët palestinezë.
Vdekja e Lozas e çoi në 456 numrin e përgjithshëm të ushtarëve izraelitë të vrarë brenda Gazës që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023. Një ushtar tjetër, Amit Cohen, 19 vjeç, gjithashtu vdiq të hënën në Gaza.
Në anën tjetër, sipas raportimeve të mediave palestineze, 16 njerëz u vranë nga një sulm ajror izraelit të martën në mëngjes në kampin e refugjatëve “Shati” në Qytetin Gaza.
Dy njerëz të tjerë u vranë dhe disa të tjerë u lënduan nga një sulm tjetër izraelit në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, përderisa ushtria i zgjeroi operacionet tokësore në këtë qytet.
Zyra për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare e OKB-së (OCHA) vlerësoi se mes 50.000 e 80.000 njerëz ishin duke jetuar në zonën e qyteti Deir al-Balah, i cili deri më tani ishte konsideruar relativisht i sigurt.
Sipas drejtorit të Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi në Gaza, i cili foli në televizionin “Al Jazeera”, 20 njerëz kanë vdekur nga uria gjatë 48 orëve të fundit në enklavë./Nacionale