Izraelit i vritet edhe një ushtar gjatë luftimeve në Liban - NACIONALE

Izraelit i vritet edhe një ushtar gjatë luftimeve në Liban

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë njoftuar se është vrarë edhe një pjesëtar rezervë i tyre gjatë luftimeve në jug të Libanit.

Sipas njoftimit të ushtrisë, bëhet fjalë për Rreshter Major Ronny Ganizate, rezervistë, pjesëtar i Batalionit 5030 të Brigadës “Alon”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Një ushtar tjetër rezervist i Batalionit 5030 u plagos seriozisht në incidentin e njëjtë gjatë luftimeve me Hezbollahun dhe u dërgua në një spital, shtoi ushtria.

Ganizate, 36 vjeç nga Givat Shmuel, është ushtari i 12-të izraelit që vritet gjatë ofensivës tokësore kundër Hezbollahut në Liban dhe gjatë operacioneve në kufi.

Ndërkohë, gazeta amerikane, “The Wall Street Journal”, raporton se Shtetet e Bashkuara e shohin fushatën e Izraelit kundër Hezbollahut si mundësi për ta larguar grupin nga politika e Libanit.

Në raport thuhet se sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, ka qenë duke lobuar tek udhëheqës arabë që ta përkrahin zgjedhjen e një presidenti të ri në Liban.

Libani është pa president nga viti 2022 për shkak të dështimit të fraksioneve politike që të arrijnë një marrëveshje për postin e lartë.

Sidoqoftë, gazeta e njohur thotë se zyrtarë nga Egjipti e Katari nuk shohin gjasa që synimi i ShBA-së për ta lënë anash Hezbollahun do të arrihet, duke thënë se një plan i tillë është joreal./Nacionale

Lajme të ngjashme