Izraelit i vriten katër rreshterë në Gaza, të gjithë 19-vjeçarë - NACIONALE

Izraelit i vriten katër rreshterë në Gaza, të gjithë 19-vjeçarë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Katër ushtarë izraelitë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën gjatë betejave të ashpra në Rripin e Gazës të premten, ndërsa Hamasi hidhi raketa drejt qytetit jug izraelit, Beersheba, për herë të parë nga dhjetori, duke lënduar lehtë një grua.

Raportohet se tanket izraelite avancuan në një rrugë kryesore që i ndan pjesët lindore e perëndimore të qytetit Rafah të premten, në kohën e përleshjeve të ashpra në zonë, si dhe në qytetin Gaza, në veri të enklavës, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Katër ushtarët u vranë në lagjen Zeitoun të qytetit Gaza. Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, ata u goditën nga një pajisje ose disa pajisje shpërthyese në një rrugicë.

Trupat kishin qenë duke bastisur një kompleks shkollor, ku ushtria kishte shenja për aktivitet të Hamasit. Armatim dhe të paktën një tunel u zbuluan në zonën e shkollës, sipas gazetës izraelite.

Ushtria izraelite është rikthyer disa herë në lagjen Zeitoun që nga fillimi i luftës, pasi Hamasi ka arritur që të rigrupohet në zona që më parë ishin pastruar nga forcat izraelite.

Ushtarët e vrarë u identifikuan si Rreshter Itay Livny, Rreshter Yosef Dassa, Rreshter Ermiyas Mekuriyaw dhe Rreshter Daniel Levy, të gjithë pjesëtarë të Batalionit të 931-të të Brigadës “Nahal”, të gjithë 19-vjeçarë.

Një oficer dhe një ushtar të këtij batalioni u plagosën seriozisht në incidentin e njëjtë.

Katër rastet e reja fatale e çojnë në 271 numrin e përgjithshëm të ushtarëve izraelitë të vrarë që nga nisja e ofensivës tokësore në Gaza.

Në një rast tjetër, dy ushtarë të Batalionit të 9-të të Brigadës së 401-të të Blinduar u plagosën seriozisht nga zjarri i një granate që goditi një tank në zonën e qytetit Rafah.

Lajme të ngjashme