Izraeli vret dhjetëra njerëz në Gaza, dërgon tanke në zonat jugore
Sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës lanë të vrarë të paktën 60 palestinezë gjatë natës, përfshirë sulmin në një shkollë ku po strehoheshin familje të zhvendosura, thanë mjekët, përderisa tanket izraelite avancuan në zonat e qytetit Khan Younis, në pjesën jugore të enklavës.
Tanket izraelite kryen një bastisje në disa zona në pjesët lindore dhe qendrore të Khan Younisit, në jug të Rripit të Gazës, para se të tërhiqeshin pjesërisht, duke lënë të paktën 40 të vrarë e dhjetëra të lënduar, sipas radios Zëri i Palestinës dhe mediave të Hamasit, raporton agjencia “Reuters”.
Në Qytetin Gaza, të paktën 22 palestinezë u vranë, thanë mjekët. Një sulm izraelit ndaj një shkolle ku po strehoheshin familje të zhvendosura në Qytetin Gaza la të vrarë 17 njerëz, ndërsa një tjetër e goditi Shoqërinë e Jetimëve “Al-Amal”, ku gjithashtu strehohen njerëz të zhvendosur, duke vrarë të paktën pesë të tjerë, thanë mjekët.
Eskalimi erdhi pasi Irani hodhi rreth 180 raketa në drejtim të Izraelit të martën si hakmarrje për fushatën izraelite kundër aleatëve të Teheranit në Liban, ndërsa Izraeli u zotua për “kundërpërgjigje të dhimbshme” kundër armikut.
Palestinezët në Rripin e Gazës, të mbërthyer në gati një vit luftë me Izraelin, festuan përderisa i shikonin dhjetëra raketat që po shkonin drejt Izraelit. Disa prej raketave ranë në Gaza, pasi u penguan nga sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore, por nuk shkaktuan viktima, thanë dëshmitarët.
Hezbollahu e nisi hedhjen e raketave drejt Izraelit para gati një viti, në përkrahje të aleatit Hamas në luftën në Gaza, që nisi pasi ky grup e kreu sulmin më vdekjeprurës në territorin izraelit më 7 tetor./Nacionale