Izraeli vret 14 njerëz në veri të Gazës, urdhëron evakuime në jug - NACIONALE

Izraeli vret 14 njerëz në veri të Gazës, urdhëron evakuime në jug

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet ushtarake izraelite lanë të vrarë të paktën 14 palestinezë në pjesë të ndryshme të Gazës të martën, shumica në qytezën Beit Lahiya, në skajin verior të enklavës, thanë mjekët, ndërsa ushtria lëshoi urdhra të rinj evakuimi në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Mjekët thanë se tetë njerëz u vranë nga një varg sulmesh në Beit Lahiya, ndërsa katër të tjerë në pjesë të Qytetit Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një sulm ajror izraelit më vonë la të vrarë dy njerëz dhe plagosi disa të tjerë në Jabalia, kampi më i madh nga tetë kampet historike të refugjatëve në Gaza, në pjesën veriore të enklavës, thanë mjekët.

Ushtria izraelite ka qenë duke operuar në Jabalia dhe gjithashtu në qytezat Beit Lahiya dhe Beit Hanoun që nga tetori. Forcat izraelite kanë vrarë qindra militantë në tri zona që nga fillimi i operacionit, sipas ushtrisë.

Hamasi dhe krahu i armatosur i Xhihadit Islam kanë thënë se luftëtarët e tyre kanë vrarë disa ushtarë izraelitë në prita gjatë periudhës së njëjtë.

Shërbimi Emergjent Civil palestinez tha se operacionet e tij në Jabalia, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun tashmë ishin ndalur për gati katër javë për shkak të sulmeve izraelite ndaj ekipeve të këtij shërbimi dhe për shkak të mungesës së karburantit.

Të martën, ky shërbim tha se 13 prej 27 automjeteve në pjesët qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës gjithashtu ishin jashtë operimit për shkak të mungesës së karburantit. U tha gjithashtu se 88 pjesëtarë të Shërbimit Emergjent Civil janë vrarë, 304 të tjerë janë plagosur dhe 21 janë ndaluar nga Izraeli që nga fillimi i luftës./Nacionale

Lajme të ngjashme