Izraeli thotë se pikëkalimi kufitar mes Gazës e Egjiptit në Rafah do të hapet të dielën
Izraeli do ta rihapë pikëkalimin kufitar në Rafah mes Gazës dhe Egjiptit të dielën për qarkullimin e njerëzve, tha një agjenci qeveritare izraelite. Kjo është hapja e parë e rrugës së vetme për të hyrë e për të dalë nga enklava palestineze që nga maji i vitit 2024.
Agjencia qeveritare izraelite që merret me bashkërendimin e politikave civile në Gaza, COGAT, nuk tregoi se sa prej më shumë se 2 milionë banorëve të Gazës do të lejohen që ta kalojnë kufirin brenda ditës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kthimi i banorëve nga Egjipti në Rripin e Gazës do të lejohet, në bashkërendim me Egjiptin, vetëm për banorët që janë larguar nga Gaza gjatë rrjedhës së luftës dhe vetëm pas kontrollit paraprak të sigurisë nga Izraeli” – tha COGAT-i.
Izraeli e kishte marrë nën kontroll këtë pikë kufitare në majin e vitit 2024, rreth nëntë muaj pas fillimit të luftës në Gaza. Rihapja e pikës ishte kërkesë e rëndësishme sipas fazës së parë të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për ndaljen e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit, gjë që ndodhi pas arritjes së armëpushimit në tetorin e vitit të kaluar.
Izraeli kishte thënë se do ta rihapte pikëkalimin në Rafah vetëm pasi të tërhiqej edhe trupi i pengut të fundit izraelit nga Gaza. Një gjë e tillë u arrit këtë javë.
Agjencia “Reuters” ditë më parë raportoi se Izraeli dëshiron që ta kufizojë numrin e palestinezëve që do të hyjnë në Gaza përmes pikëkalimit kufitar në Rafah për t’u siguruar që më shumë njerëz do të dalin nga enklava sesa që do të hyjnë. Egjipti nuk është pajtuar me këtë.
Një burim i afërt me çështjen tha se pikëkalimi do të hapet pavarësisht vazhdimit të diskutimeve mes Egjiptit e Izraelit për këtë pikë, duke thënë se Izraeli dëshiron që ta lejojë kthimin e rreth 150 njerëzve në ditë.
Hapja e pikëkalimit në Rafah do të vlejë vetëm për kalimin e njerëzve, edhe pse Gaza mbetet me nevojë për ndihma jetike, të cilat, sipas organizatave humanitare, janë penguar nga kufizimet e vendosura prej Izraelit./Nacionale