Izraeli thotë se ka interesim për të vendosur marrëdhënie me Sirinë dhe Libanin
Izraeli është i interesuar për të vendosur marrëdhënie formale diplomatike me armiqtë e vjetër, Sirinë dhe Libanin, por statusi i Rrafshnaltës së Golanit nuk është i negociueshëm, tha të hënën ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Gideon Saar.
Udhëheqësit izraelitë argumentojnë se me dobësimin e rivalit Iranit nga lufta 12-ditore e këtij muaji, shtetet e tjera në rajon kanë një mundësi për të ndërtuar lidhje me Izraelin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne jemi interesim në shtimin e shteteve si Siria dhe Libani, fqinjët tanë, në rrethin e paqes dhe të normalizimit, ndërkohë duke i ruajtur interesat thelbësore dhe të sigurisë të Izraelit” – tha kryediplomati Saar në një konferencë për gazetarë në Jerusalem.
“Golani do të mbetet pjesë e Shtetit të Izraelit” – shtoi ai.
Izraeli e aneksoi Rrafshnaltën e Golanit më 1981 pas kapjes së atij territori nga Siria gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967. Përderisa shumica e komunitetit ndërkombëtar e cilëson Golanin tokë të pushtuar siriane, presidenti amerikan, Donald Trump, e njohu sovranitetin e Izraelit mbi Golanin gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad, forcat izraelite u futën edhe më thellë brenda territorit sirian.
Një zyrtar i lartë sirian, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Siria nuk do të heqë dorë kurrë nga Rrafshnalta e Golanit, duke e përshkruar atë si pjesë integrale e territorit sirian.
Zyrtari gjithashtu tha se përpjekjet për normalizim me Izraelin duhet të jenë pjesë e Nismës Arabe të Paqes të vitit 2002, e jo të bëhen përmes një rruge të ndarë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Sirisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment.
Në nismën e vitit 2002 propozohej normalizimi i lidhjeve të vendeve arabe me Izraelin në këmbim të tërheqjes së tij nga territoret e pushtuara, përfshirë Rrafshnaltën e Golanit, Bregun Perëndimor dhe Gazën. Me këtë nismë gjithashtu bëhej thirrje për themelimin e një shteti të pavarur palestinez me kryeqytet Jerusalemin Lindor, të cilin Izraeli gjithashtu e pushtoi më 1967.
Gjatë luftës në Gaza, Arabia Saudite, fuqi rajonale, ka thënë disa herë se vendosja e marrëdhënieve me Izraelin do të bëhej me kusht të themelimit të një shteti të pavarur palestinez.
Sidoqoftë, ministri Saar i Izraelit tha se “nuk është konstruktive” që shtetet e tjera ta kushtëzojnë normalizimin e marrëdhënieve me shtetësinë palestineze.
“Pikëpamja jonë është që një shtet palestinez do ta rrezikojë sigurinë e Shtetit të Izraelit” – tha ai./Nacionale