Izraeli thotë se është shkelur armëpushimi me Hezbollahun, shtie në jug të Libanit - NACIONALE

Izraeli thotë se është shkelur armëpushimi me Hezbollahun, shtie në jug të Libanit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zjarri i tankeve izraelite goditi gjashtë zona në jug të Libanit të enjten dhe ushtria izraelite tha se armëpushimi i saj me Hezbollahun është shkelur, pasi disa të dyshuar, disa në automjete, arritën në disa zona në pjesën jugore.

Një armëpushim mes Izraelit e Hezbollahut hyri në fuqi të mërkurën sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, me qëllim që t’u mundësohej rikthimin në shtëpi njerëzve të zhvendosur nga zona kufitare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ushtria izraelite u kishte bërë thirrje banorëve të qytezave përgjatë rripit kufitar që ende të mos ktheheshin për shkak të sigurisë.

Të enjten në mëngjes, zjarri i tankeve izraelite goditi gjashtë zona brenda rripit kufitar, thanë mediat shtetërore dhe burimet libaneze të sigurisë.

Nuk pati koment të menjëhershëm për predhat e tankeve nga Hezbollahu ose Izraeli, të cilët kanë qenë duke luftuar mes vete për më shumë se një vit, paralelisht me luftën në Gaza mes forcave izraelite e Hamasit.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, forcat izraelite kanë kohë deri në 60 ditë për t’u tërhequr nga pjesa jugore e Libanit, por asnjëra palë nuk mund të nisë operacione të ofensivës. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se e kishte udhëzuar ushtrinë që të mos i lejonte banorët për t’u kthyer në fshatrat afër kufirit.

Lajme të ngjashme