Izraeli thotë se do të marrë nën kontroll një zonë të madhe neutrale në jug të Libanit
Trupat izraelite do të kontrollojnë një pjesë të madhe të Libanit jugor si pjesë e fushatës së tyre kundër Hezbollahut, sipas ministrit të Mbrojtjes të Izraelit, Israel Katz.
Ai tha se ushtarët do të ndërtojnë një zonë sigurie deri te Lumi Litani, rreth 30 kilometra nga kufiri Liban – Izrael dhe se banorët e zhvendosur nuk do të lejohen që të rikthehen derisa pjesa veriore të Izraelit të jetë e sigurt, raporton televizioni BBC.
Katzi tha se pesë ura “që përdoreshin nga Hezbollahu për kalimin e terroristëve dhe armëve, janë hedhur në erë”.
Përshkallëzimi i ri nisi pasi Hezbollahu, grup i përkrahur nga Irani, hodhi raketa në drejtim të Izraelit verior si hakmarrje për vrasjen e liderit suprem të Iranit dhe për sulmet pothuajse të përditshme izraelite ndaj Libanit pavarësisht nga armëpushimi i arritur në nëntorin e vitit 2024.
Prej asaj kohe, më shumë se 1.000 njerëz janë vrarë në Liban, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë shtet, përfshirë të paktën 118 fëmijë e 40 punëtorë shëndetësorë.
Më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur, gjendje që mund të çojë në një krizë të madhe humanitare.
Zyrtarët izraelitë thonë se qëllimi është që të mbrohen komunitetet në pjesën veriore të Izraelit nga sulmet e Hezbollahut.
Pjesë jugore e Libanit është zonë qendrore e komunitetit shiit, i cili është baza kryesore e mbështetjes për Hezbollahun./Nacionale