Izraeli sulmon një zyrë postare në Gaza, raportohet për 30 të vrarë - NACIONALE

Izraeli sulmon një zyrë postare në Gaza, raportohet për 30 të vrarë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një sulm izraelit ndaj një zyre postare ku po strehoheshin banorë të Gazës la të vrarë të paktën 30 palestinezë, ndërsa 50 të tjerë u plagosën, thanë mjekët. Ushtria izraelite tha të premten se ishte duke vënë në shënjestër një anëtar të lartë të grupit Xhihadi Islam.

Disa familje të zhvendosura nga konflikti 14-mujor kishin kërkuar strehim në objektin e postës në kampin “Nuseirat” dhe sulmi që ndodhi të enjten vonë e çoi në 66 numrin ditor të të vrarëve në enklavë, thanë mjekët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Izraeli tha se në shënjestër kishte një udhëheqës të Xhihadit Islam për sulme ndaj civilëve dhe trupave izraelite dhe e akuzoi grupin militant për shfrytëzim të infrastrukturës dhe popullsisë civile si mburojë njerëzore për aktivitetet e veta.

Në një deklaratë të ushtrisë izraelite thuhet se ushtria ishte duke i analizuar raportimet për numrin e viktimave. Aty nuk u përmend emri i anëtarit të Xhihadit Islam për të cilin tha se ishte në shënjestër.

Më herët të enjten, dy sulme izraelite në jug të Gazës lanë të vrarë 13 palestinezë, për të cilët mjekët dhe Hamasi thanë se ishin pjesë e një force që po i mbronte kamionët e ndihmave humanitare. Sidoqoftë, ushtria izraelite tha se ata ishin militantë të Hamasit që po mundoheshin ta rrëmbenin dërgesën.

Shumë prej atyre që u vranë nga sulmet në Rafah dhe Khan Younis kishin lidhje me Hamasin, sipas burimeve të afërta me grupin militant.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se qëllimi i dy sulmeve ajrore ishte që të garantohej siguria e dërgimit të ndihmave humanitare dhe akuzoi anëtarë të Hamasit për planifikim të parandalimit të arritjes së ndihmave te civilët e Gazës që kanë nevojë për to.

Banda të armatosura në mënyrë të përsëritur kanë rrëmbyer kamionë me ndihma dhe Hamasi ka themeluar një task-forcë për t’iu kundërvënë atyre. Forcat e udhëhequra nga Hamasi kanë vrarë më shumë se 20 anëtarë të bandave në muajt e fundit, thanë burimet e grupit dhe mjekët./Nacionale

Lajme të ngjashme