Izraeli, ShBA-ja e Turqia kryejnë sulme në Siri për t’i mbrojtur interesat e tyre
Disa sulme janë kryer në pjesë të ndryshme të Sirisë, përderisa aktorët rajonalë në Lindjen e Mesme u munduan që t’i mbronin interesat e tyre në këtë vend pas rënies së papritur të presidentit Bashar al-Assad, i cili ka ikur për në Moskë.
Përderisa rebelët e udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham liruan të burgosur, përfshirë ata që ndodheshin në burgun famëkeq, Sednaya, që shpesh është quajtur “thertorja njerëzore”, Izraeli, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kryen veprime ushtarake dhe ish-përkrahësit e Assadit në Rusi e Iran gjithashtu u përfshinë në përpjekje për ta formësuar të ardhmen e Sirisë, raporton gazeta “The Guardian”.
Shtetet e Bashkuara kanë goditur caqe të lidhura me ISIS-in në pjesën qendrore të Sirisë, ndërsa Turqia i ka sulmuar forcat kurde, që mbështeten nga ShBA-ja. U raportua se një marrëveshje për tërheqjen e forcave kurde nga qyteti verior, Manjib, u arrit të hënën pas avancimit të Ushtrisë Kombëtare Siriane, e cila përkrahet nga Turqia.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, paralajmëroi të hënën se ISIS-i do të mundohej që ta shfrytëzojë këtë periudhë për t’i rivendosur kapacitetet e veta në Siri. Kryediplomati amerikan shtoi se deklaratat e udhëheqësve të rebelëve për ndërtimin e qeverisjes gjithëpërfshirëse janë të mirëseardhura, por se njësia e vërtetë matëse do të jenë veprimet që ata i ndërmarrin.
Izraeli gjithashtu konfirmoi se kishte dërguar forca në zonën neutral përtej Rrafshnaltës së Golanit të pushtuar nga ky shtet dhe në ish-pozicionet e ushtrisë siriane në Malin Hermon në atë që e përshkroi si “masë të përkohshme”.
Izraeli tha se do të vazhdonte me sulme ajrore ndaj qendrave të ish-regjimit të ndërlidhura me raketa dhe armë kimike. Për sulme ajrore u raportua të hënën në mbrëmje në një qendër të mbrojtjes ajrore afër portit Latakia.