Izraeli propozon një javë pauzë në luftime në këmbim të rreth 40 pengjeve - NACIONALE

Izraeli propozon një javë pauzë në luftime në këmbim të rreth 40 pengjeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli i ka paraqitur Hamasit një propozim që përfshin pauzë njëjavore në luftime në këmbim të lirimit të rreth 40 pengjeve, sipas Barak Ravid-it, analist politik i televizionit CNN, duke cituar dy zyrtarë izraelitë dhe një burim tjetër me njohuri për këtë çështje.

Propozimi për të cilin së pari raportoi uebfaqja amerikane e lajmeve, “Axios”, synon që ta sigurojë lirimin e pengjeve që përfshin gra, të moshuar e persona që kanë nevojë për përkujdesje urgjente, raporton televizioni CNN.

Analisti Ravid tha se propozimi i është paraqitur Hamasit përmes ndërmjetësve të Katarit.

Michael Herzog, ambasador i Izraelit në Shtete të Bashkuara, konfirmoi se vendi i tij është i gatshëm për të zbatuar një pauzë në luftime, nëse ajo do ta nënkuptonte lirimin e sa më shumë pengjeve që është e mundshme, por nuk konfirmoi nëse është arritur një marrëveshje.

“Mendoj se është papjekuri të thuhet nëse kemi apo nuk kemi marrëveshje deri më tani, Hamasi refuzoi që të bëhej një marrëveshje tjetër”- i tha televizioni CNN ambasadori Herzog.

“Ata po shpresonin për armëpushim të përhershëm, por unë shpresoj se nën trysninë e asaj që ne po e bëjmë në terren, shtuar presionin nga Katari, ata do të pajtohen për të bërë një marrëveshje, por është papjekur [të thuhet nëse ka marrëveshje] në këtë fazë”- shtoi ai.

Hamasi ka bërë të qartë se nuk do të lirohen pengje të tjera derisa të arrihet një armëpushim.

Megjithatë, përderisa përpjekjet diplomatike vazhdojnë, kriza humanitare në enklavën e rrethuar përkeqësohet përditë. Gati 20 mijë njerëz janë vrarë nga aksionet ushtarake izraelite që nga 7 tetori, ndërsa mbi 52 mijë të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që kontrollohet nga Hamasi.

Lajme të ngjashme