Izraeli ngre aktakuzë kundër një koloni për vdekjen e aktivistit palestinez, Awdah Hathaleen - NACIONALE

Izraeli ngre aktakuzë kundër një koloni për vdekjen e aktivistit palestinez, Awdah Hathaleen

44 minuta më parë

nga NACIONALE

Prokurorët izraelitë kanë ngritur aktakuzë kundër një koloni hebre për vrasjen e një udhëheqësi të komunitetit palestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor vitin e kaluar – aktakuza e parë e tillë në gati tre vjet.

Në dokumentet e dorëzuara nga zyra e prokurorit shtetëror, Yinon Levi akuzohet për vrasje nga pakujdesia për rastin e aktivistit Awdah Hathleen, i cili ishte i përfshirë në dokumentarin e vitit 2025 që fitoi Çmimin Oskar, “No Other Land”, raporton gazeta “The Guardian”.

Në mesin e akuzave kundër Levit përfshihen edhe shkelja e pronës duke qenë i armatosur dhe dëmi keqdashës ndaj pronës gjatë një incidenti që ndodhi në korrikun e vitit të kaluar, ku kolonët kishin drejtuar një ekskavator të madh në fshatin palestinez, Umm al-Khair, duke filluar një ballafaqim me banorët.

Hathaleen e kishte incizuar momentin kur ishte qëlluar gjatë përleshjes. Në pamjet e publikuara nga grupi izraelit për të drejtat e njeriut, “B’Tselem”, Levi shihet duke nxjerrë një armë e duke shtënë në drejtim të aktivistit. Palestinezi dëgjohet më pas duke rënkuar, përderisa bie në tokë.

Levi, I cili është nën sanksione nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian për dhunën kundër palestinezëve, më parë ka mohuar se kishte shkrepur armë dhe se e kishte vrarë Hathaleen-in. Agjencia “Reuters” nuk arriti që të kontaktonte me avokatin e tij për t’i marrë koment.

Grupi “B’Tselem” tha se aktakuza e së enjtes është e para që nga fillimi i luftës në Gaza në tetorin e vitit 2023 pas sulmeve të Hamasit. Lufta do të sillte më pas shtim të dhunës nga kolonët kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, ushtarët dhe kolonët izraelitë prej asaj kohe kanë vrarë të paktën 1.100 palestinezë në Bregun Perëndimor, në mesin e tyre të paktën 240 fëmijë./Nacionale

Lajme të ngjashme