Izraeli “në bisedime të avancuara” për një marrëveshje me Sirinë, thotë një zyrtar i lartë - NACIONALE

Izraeli “në bisedime të avancuara” për një marrëveshje me Sirinë, thotë një zyrtar i lartë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli dhe Siria janë duke zhvilluar “bisedime të avancuara” për një marrëveshje dypalëshe për ndërprerjen e armiqësive mes dy vendeve, tha të hënën një zyrtar i lartë izraelit.

Kontaktet janë të përqendruara te bashkërendimi rreth çështjeve të sigurisë, tha zyrtari izraelit, i cili nuk spekuloi se kur do të mund të bëhej realitet një marrëveshje e plotë e paqes mes dy shteteve me raporte armiqësore, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“A do të mund të zhvillohej kjo në diçka përtej [marrëveshjeve të sigurisë]? Ne do të presim e do të shohim. Tani për tani, nuk ka ndonjë gjë konkrete” – shtoi ai.

“Është absolutisht një frymëzim për t’i zgjeruar Akordet e Abrahamit dhe nuk është sekret që ne duam ta shohim Sirinë në këtë dhe mund të jetë një mundësi” – tha më tej zyrtari i lartë izraelit.

Shtetet fqinje kanë qenë palë kundërshtare të konfliktit në Lindjen e Mesme me dekada, përfshirë luftimet e drejtpërdrejta nga Lufta Arabo-izraelite e vitit 1948 deri në Luftën e Parë të Libanit më 1982.

Megjithatë, ish-presidenti Bashar al-Assad i Sirisë u rrëzua nga pushteti në dhjetor dhe u largua nga vendi, ndërsa pushtetarët e rinj islamistë në Damask janë të interesuar që të paraqesin një fytyrë moderne të shtetit para Perëndimit.

Zyrtarët izraelitë thanë se delegacionin e Izraelit në bisedimet me Sirinë po e udhëheq këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Tzachi Hanegbi. Ai javën e kaluar konfirmoi se Izraeli dhe Siria janë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe janë duke e diskutuar mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve.

Gjithashtu të hënën, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, tha se në çfarëdo marrëveshjeje të paqes me Sirinë, “Rrafshnalta e Golanit do të mbetet pjesë e Shtetit të Izraeli”.

Edhe pse ka pasur një varg raportimesh që e tregojnë gatishmërinë e Sirisë për të vendosur lidhje diplomatike me Izraelin, burime të paidentifikuara siriane i thanë të hënën mediumit libanez “Al-Akhbar” se nuk ka konsensus të prerë brenda udhëheqësisë siriane në lidhje me bisedimet për paqe të ndërmjetësuara nga ShBA-ja./Nacionale

Lajme të ngjashme