Izraeli kryen sulme të reja në Gaza pas dhjetëra viktimave që la në fundjavë
Izraeli të hënën i goditi pjesët jugore dhe qendrore të Rripit të Gazës për t’i bërë më shumë trysni Hamasit, pas një sulmi në fundjavë që e kishte në shënjestër udhëheqësinë e Hamasit dhe që la të vrarë shumë palestinezë të dyndur në atë që cilësohej “zonë e sigurt”.
Dy ditë pasi sulmi izraelit bëri shkrumb një pjesë të Mawasi-t, afër bregdetit të Mesdheut, të zhvendosurit e mbijetuar thanë se nuk kishin ide se ku të shkojnë tani e tutje, raporton agjencia “Reuters”.
Zyrtarët palestinezë thanë se të paktën 90 persona u vranë të shtunën dhe qindra të tjerë u plagosën. Gazetarët e agjencisë “Reuters” në terren e incizuan masakrën, ku banorët shiheshin duke i bartur të vdekurit dhe të plagosurit mes flakës e tymit.
Në jug, në Rafah, që është fokusi kryesor i ushtrisë izraelite nga maji, banorët raportuan për luftime të reja të hënën. Ata thanë se forcat izraelite hodhën në erë disa shtëpi në pjesët perëndimore e qendrore të qytetit. Zyrtarët mjekësorë thanë se kishin tërhequr dhjetë trupa të palestinezëve të vrarë nga zjarri izraelit në zonat lindore të qytetit, disa prej të cilëve tashmë kishin filluar të dekompozoheshin.
Ushtria gjithashtu i shtoi sulmet ajrore e me predha tankesh në pjesën qendrore të Gazës, në kampet historike të refugjatëve, “Al-Bureij” dhe “Al-Maghazi”. Zyrtarët shëndetësorë thanë se pesë palestinezë u vranë nga një sulm ajror izraelit ndaj një shtëpie në kampin “Al-Maghazi”.
Ushtria izraelite tha se forcat ajrore goditën dhjetëra caqe ushtarake palestineze në mbarë Gazën, duke vrarë shumë të armatosur. Sipas forcave izraelite, ushtria vrau të armatosur në Rafah dhe në pjesën qendrore të Gazës, nganjëherë përmes luftimeve në afërsi.
Në një deklaratë të brigadës “Al-Quds”, krah ushtarak i grupit Xhihadi Islam, thuhet se luftëtarët e saj u përfshinë në beteja të ashpra në kampin “Yabna” në Rafah.