Izraeli kryen sulme në Liban pasi pengoi raketa, Hezbollahu e mohon përfshirjen
Izraeli bombardoi caqe të Hezbollahut në jug të Libanit të premten, pasi pengoi një raketë të hedhur nga fqinji verior, tha ushtria izraelite, edhe pse grupi militant i përkrahur nga Irani e mohoi përfshirjen në incident.
Izraeli ishte zotuar për një kundërpërgjigje të fuqishme për ta mbrojtur sigurinë e vet, në atë që përbëri një goditje tjetër ndaj marrëveshjes së brishtë të armëpushimit mes palëve, me të cilën i ishte dhënë fund një lufte njëvjeçare, pasojë e konfliktit mes Izraelit e Hamasit në Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një zyrtar i lartë i Hezbollahut përmes një deklarate mohoi se grupi ishte i përfshirë në hedhjen e raketës të premten, që ndodhi pas hedhjes së një grumbulli raketash të tjera drejt pjesës veriore të Izraelit të shtunën, për të cilat grupi i përkrahur nga Irani gjithashtu e ka mohuar përgjegjësinë.
Hezbollahu tha se incidentet duket se ishin pjesë e atyre që i quajti përpjekje për të krijuar pretekste për vazhdimin e veprimeve ushtarake izraelite në Liban.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se vendi i tij e mban Libanin përgjegjës për zjarrin me raketa drejt rajonit të Galileut në veri të Izraelit. “Ne do ta garantojmë sigurinë e Galileut dhe do të veprojmë me forcë kundër çfarëdo rreziku” – tha ai.
Mediat libaneze thanë se aeroplanë luftarakë izraelitë ishin duke fluturuar mbi Liban të premten.
Një raketë e dytë e hedhur nga jugu i Libanit të premten ra brenda rajonit, tha ushtria izraelite.
Pengesat në armëpushim kanë qëlluar në kohën e përtëritjes së aksioneve ushtarake izraelite kundër Hamasit në Gaza, duke e thyer armëpushimin dymujor, pasi palët nuk u pajtuan rreth kushteve për zgjatjen e afatit të tij./Nacionale