Izraeli e shënon njëvjetorin e sulmit të 7 tetorit nën hijen e luftës që po eskalon - NACIONALE

Izraeli e shënon njëvjetorin e sulmit të 7 tetorit nën hijen e luftës që po eskalon

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraelitët të hënën e shënojnë përvjetorin e parë të sulmit shkatërrues të Hamasit që nxiti një luftë që kishte shkaktuar protestë në mbarë botën dhe rrezikon që të ndezë një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ceremoni dhe protesta në Jerusalem dhe në jug të Izraelit ishin caktuar që të fillonin në orën 6 e 29 minuta të mëngjesit, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi i kishin nisur raketat drejt Izraelit në fillim të sulmit të 7 tetorit vitin e kaluar, raporton agjencia “Reuters”.

Ata vranë rreth 1.200 njerëz, ndërsa afro 250 të tjerë i morën peng dhe i dërguan në Gaza, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.

Forcat e sigurisë janë në gjendje të vigjilencës së lartë të hënën në mbarë vendin, thanë ushtria dhe policia, në pritje të sulmeve të mundshme palestineze që mund të jenë planifikuar për njëvjetorin e sulmit të 7 tetorit të vitit 2023, kur filloi gjakderdhja më e rëndë në konfliktin e vjetër me dekada mes izraelitëve e palestinezëve.

Jashtë Izraelit, protesta pritet të mbahen në pjesë të ndryshme të botës kundër ofensivës izraelite në Rripin e Gazës, që e ka shkatërruar enklavën bregdetare me popullsi të dendur, duke lënë të vrarë gati 42 mijë njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, e duke e shkaktuar zhvendosjen e shumicës së popullsisë prej 2,3 milionë njerëzish.

Për Izraelin, sulmi i befasishëm nga grupi islamist palestinez ishte ndër dështimet më të mëdha të sigurisë për një shtet që mburret me ushtrinë e fuqishme dhe të sofistikuar.

Sulmi e shkaktoi ditën më vdekjeprurëse të Izraelit, ua shkatërroi shumë qytetarëve ndjenjën e sigurisë dhe e çoi besimin tek udhëheqësit e tyre në pikë rekorde të ulët.

Shumica e të vdekurve ishin civilë, përfshirë gra, fëmijë e të moshuar, të vrarë në shtëpitë e tyre, në rrugë dhe në vendin ku po mbahej një festival muzikor në mjedis të hapur, por edhe ushtarë në baza ushtarake afër kufirit me Gazën.

Në Gaza po mbahen ende 101 pengje, përderisa forcat izraelite po e vazhdojnë misionin e tyre me qëllim të dhënies fund sundimit të Hamasit në enklavë dhe shkatërrimit të kapaciteteve ushtarake të grupit./Nacionale

Lajme të ngjashme