Izraeli e quan “lajm të rremë” raportin e NYT-së rreth bisedimeve bërthamore ShBA – Iran
Izraeli të enjten kundërshtoi një raport të gazetës së njohur amerikane, “The New York Times” se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyhu, ka kërcënuar se do t’i pengojë bisedimet për një marrëveshje bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duke i sulmuar qendrat kryesore iraniane për pasurimin e uraniumit.
Duke cituar zyrtarë që kanë njohuri për situatën, gazeta amerikane tha se disa zyrtarë izraelitë ishin të shqetësuar se presidenti amerikan, Donald Trump, është aq i etur për të arritur një marrëveshje me Iranin, saqë ai do ta lejojë Teheranin që t’i mbajë qendrat e pasurimit bërthamor, të cilat janë vijë e kuqe për Izraelin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në raport thuhet se Izraeli ishte posaçërisht i shqetësuar për mundësinë e një pakti të përkohshëm që do t’i lejonte Iranit që t’i mbajë objektet bërthamore me muaj ose madje edhe me vjet derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Më tej, në raportin e gazetës amerikane thuhet se zyrtarët amerikanë ishin të shqetësuar se Izraeli mund të vendosë që ta sulmojë Iranin me pak paralajmërim dhe se inteligjenca e ShBA-së vlerëson se Izraeli mund të përgatisë një sulm ndaj Iranit për hiç më shumë se shtatë orë.
Në raport thuhet gjithashtu se disa zyrtarë izraelitë i kishin paralajmëruar homologët e tyre amerikanë se Netanyahu mund të japë urdhër për nisjen e një sulmi ndaj Iranit edhe nëse arrihet një marrëveshje e suksesshme diplomatike.
Gazeta tha se ministri i Çështjeve Strategjike i Izraelit, Ron Dermer, dhe drejtori i agjencisë së inteligjencës Mossad, David Barnea, u takuan të premten në Romë me emisarin e posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff.
Dy zyrtarët izraelitë më pas udhëtuan në Uashington për një takim të hënën me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, para se Dermeri të takohej përsëri me Witkoffin të martën.
Njëra nga pikat kryesore të ngërçit mes zyrtarëve amerikanë e iranianë ka qenë këmbëngulja e ShBA-së që Irani të heqë dorë nga qendrat e pasurimit bërthamor, kërkesë që është kundërshtuar nga Teherani./Nacionale