Izraeli e ndryshon vlerësimin, pret që Irani ta sulmojë brenda disa ditëve - NACIONALE

Izraeli e ndryshon vlerësimin, pret që Irani ta sulmojë brenda disa ditëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në disa raportime të dielën në mbrëmje tregohej se Izraeli është duke pritur që një sulm domethënës nga Irani të nisë brenda disa ditëve, edhe pse ushtria izraelite u përpoq që ta minimizonte këtë, duke theksuar se udhëzimet për civilët nuk janë ndryshuar.

Raportimet shënuan një ndryshim nga supozimi i mëparshëm, kur thuhet se Irani, nën presion të madh ndërkombëtar, kishte hequr dorë nga synimi fillestar për të nisur një sulm të nivelit të menjëhershëm e të nivelit të lartë si kundërpërgjigje për vrasjen e kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran më 31 korrik, për të cilën Izraeli as nuk ka konfirmuar, as nuk ka mohuar se e ka kryer, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në vend të kësaj, Irani pritej t’ia linte kundërpërgjigjen grupit Hezbollah të Libanit, komandanti i lartë i të cilit, Fuad Shukr, u vra nga Izraeli përmes një sulmi ajror në Bejrut disa orë para vrasjes së Haniyeh-ut. Izraeli e fajësonte Shukr-in se qëndronte prapa shumë sulme ndaj civilëve, përfshirë një sulm me raketë muajin e kaluar që la 12 fëmijë e adoleshentë të vrarë në një fushë futbolli në Rrafshnaltën e Golanit.

Megjithatë, uebfaqja amerikane e lajmeve, “Axios”, duke cituar dy burime të afërta me hollësitë, raportoi të dielën se vlerësimi i tanishëm i Izraelit është që Irani do të nisë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj këtij shteti brenda ditëve, me gjasë para zhvillimin e bisedimeve të reja për armëpushim e lirim të pengjeve të enjten.

Në raportin e këtij mediumi thuhet se çështja ka shkaktuar përçarje në Iran. Presidenti Masoud Pezeshkian dëshiron që të shmangë një kundërpërgjigje të ashpër, ndërsa Rojat Revolucionare të Iranit duan që të nisin një sulm më më të madh se ai i 13 dhe 14 prillit, kur qindra dronë e raketa ishin nisur nga Irani në sulmin e parë të drejtpërdrejtë iranian ndonjëherë ndaj Izraelit. Pothuajse të gjitha predhat dhe dronët ishin penguar gjatë sulmit.

Më tej, në raport thuhet se ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, kishte folur të dielën me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin, dhe i kishte thënë që përgatitjet ushtarake të Iranit linin të kuptohej se Teherani po bëhej gati për një sulm të nivelit të lartë ndaj Izraelit.

Pentagoni më vonë konfirmoi se biseda telefonike mes dy zyrtarëve të lartë kishte ndodhur, duke shtuar se Austini e kishte urdhëruar dislokimin e nëndetëses amerikane me energji bërthamore, “USS Georgia”, në Lindje të Mesme në kohën e eskalimit të tensioneve. Njoftimi publik për lëvizjen e nëndetëseve është veprim i rrallë për Shtetet e Bashkuara./Nacionale

Lajme të ngjashme