Izraeli e liron drejtorin e spitalit “Al-Shifa” të Gazës, disa ministra dalin kundër
Mediat palestineze dhe izraelite kanë raportuar se Izraeli ka liruar rreth 55 palestinezë që i kishte arrestuar në Rripin e Gazës, në mesin e tyre edhe drejtorin e spitalit “Al-Shifa”, Mohammad Abu Salmiya.
Abu Salmiya ishte arrestuar nga trupat izraelite në nëntor nën dyshimin se kishte lejuar që spitali të përdorej nga Hamasi si qendër operative, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Në video të publikuara nga mediat palestineze shihet Abu Salmiya duke u përshëndetur me një person në Gaza.
#عاجل مدير مستشفى الشفاء د. محمد أبو سلمية في أول كلماته بعد الإفراج عنه:
— أنس الشريف Anas Al-Sharif (@AnasAlSharif0) July 1, 2024
"وضع السجون مأساوي وصعب جدا، ويجب أن يكون هناك كلمة حاسمة للمقاومة والشعوب العربية من أجل حرية الأسرى". pic.twitter.com/p5J8UW5suk
Disa ministra izraelitë dolën kundër lirimit të drejtorit të këtij spitali. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, tha se vendimi për ta liruar Abu Salmiyan “bashkë me dhjetëra terroristë” është “pamaturi e sigurisë”.
“Është koha që kryeministri [Benjamin Netanyahu] t’i ndalë [ministrin e Mbrojtjes] Gallantin dhe shefin e Shin Betit nga politikat e pavarura që bien ndesh me pozicionet e kabinetit” – shtoi ai.
Ministri i Punëve të Diasporës, Amichai Chikli, shkroi: “Pse po lirohet ky burrë, në spitalin e të cilit pengje u vranë dhe një qendër komande e Hamasit operonte?”
Ministrja e Vendbanimeve, Orit Scrock, tha: “Është e paimagjinueshme që të bëhet një gjë e tillë pa një takim të kabinetit. Po pyes seriozisht, nën cilin autoritet?”
Ministri i Komunikimeve, Shlomo Karhi, tha: “Izraeli ka nevojë për udhëheqësi të re të sigurisë, sa më shpejt, më mirë.”/Nacionale