Izraeli e Hezbollahu kryejnë sulme të reja pas ditës vdekjeprurëse në Liban - NACIONALE

Izraeli e Hezbollahu kryejnë sulme të reja pas ditës vdekjeprurëse në Liban

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli goditi caqe të Hezbollahut në jug të Libanit, ndërsa grupi i përkrahur nga Irani sulmoi objekte ushtarake në veri të Izraelit të martën, duke e shtuar frikën për konflikt të plotë, pasi Libani e pësoi ditën më vdekjeprurëse në dekada të hënën.

Ushtria izraelite tha se goditi dhjetëra caqe të Hezbollahut gjatë natës, një ditë pas sulmeve ajrore kundër grupit të armatosur që, sipas autoriteteve libaneze, lanë të vrarë gati 500 njerëz dhe dhjetëra mijëra të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre për arsye sigurie, raporton agjencia “Reuters”.

Hezbollahu tha se vuri në shënjestër caqe ushtarake izraelite gjatë natës, përfshirë një fabrikë të mjeteve shpërthyese 60 kilometra në brendësi të Izraelit, që e sulmoi me raketa “Fadi” rreth orës 4 të mëngjesit. Grupi tha gjithashtu se e sulmoi fushën ajrore “Megiddo”, afër qytezës veriore izraelite, Afula, tri herë gjatë natës.

Pas gati një viti luftë kundër Hamasit në Gaza, në kufirin e vet jugor, Izraeli po e ndryshon fokusin dhe po e vë atë te kufiri verior, ku Hezbollahu ka hedhur raketa drejt Izraelit si përkrahje për Hamasin, që gjithashtu mbështetet nga Irani.

Zyra e kryeministrit libanez në detyrë, Najib Mikati, tha se ai do të udhëtojë në Nju-Jork, ku po zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, “për kontakte të mëtejme” pas valës së eskaluar të sulmeve izraelite ndaj Libanit të hënën.

Luftimet kanë shkaktuar frikë se ShBA-ja, aleate e ngushtë e Izraelit, dhe Irani, fuqi rajonale, që ka grupe prokura në Lindje të Mesme – Hezbollahun, rebelët Houthi të Jemenit dhe grupe të armatosura në Irak – mund të përfshihen në një luftë më të gjerë.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Grupit G7 thanë se Lindja e Mesme rrezikon që të tërhiqet në një konflikt më të gjerë nga i cili nuk do të përfitonte asnjë shtet, sipas një deklarate të lëshuar pas takimit të tyre në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork./Nacionale

Lajme të ngjashme