Izraeli e bombardon Rafahun e Gazës pas miratimit të rezolutës së OKB-së për armëpushim
Luftimet mes Izraelit dhe Hamasit vazhduan gjatë natës së kaluar në Gaza pavarësisht nga miratimi i një rezolute në Këshill të Sigurimit të hënën në mbrëmje, me të cilën kërkohet armëpushim i menjëhershëm.
Qyteti jugor i Gazës, Rafah, u bombardua nga aeroplanët luftarakë izraelitë gjatë natës, sipas dëshmitarëve, ndërsa beteja të ashpra me pushkë u zhvilluan përreth spitaleve në qytetet Khan Younis dhe Gaza, raporton televizioni BBC.
Sirenat e paralajmërimit për sulme me raketa u dëgjuan edhe në qyteza izraelite afër kufirit me Gazës.
Miratimi i rezolutës për armëpushim në Gaza u mundësua nga ndryshimi i qëndrimit të mëparshëm nga ShBA-ja. Uashingtoni abstenoi, duke mos e shfrytëzuar të drejtën e vetos për ta bllokuar rezolutën, siç kishte vepruar në disa votime të kaluara në OKB gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e anuloi vizitën e planifikuar të një delegacioni në Uashington si shenjë e pakënaqësisë për abstenimin e ShBA-së në OKB.
Disa orë pas miratimit të rezolutës në Këshill të Sigurimit, Hamasi tha se u ka thënë ndërmjetësve në bisedime se do të qëndrojë prapa kërkesave fillestare për armëpushim gjithëpërfshirës, me të cilin do të përfshiheshin tërheqja e trupave izraelite nga Gaza dhe kthimi i palestinezëve të zhvendosur.
Zyra e kryeministrit izraelit i ka përshkruar këto kërkesa si “joreale”.